AktualitetBota+Të fundit

Gjermani: Lockdown deri më 7 mars

Federata dhe landet në takimin e ri të nivelit të lartë mbi masat ndaj koronavirusit vendosën të shtyjnë deri më 7 mars masat kufizuese. Sidoqoftë do të ketë disa lehtësime: Floktoret do të lejohen të hapen nga 1 marsi.

Lockdown-i i kufizuar fillimisht deri në mes të shkurtit për të luftuar pandeminë e koronavirusit në Gjermani do të shtyhet deri më 7 mars. Përjashtim do të ketë për floktoret, që mund të rihapen nga 1 marsi nën masa të rrepta për ruajtjen e higjenës. Kështu vendosën kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve. Hapja e shkollave dhe kopshteve të fëmijëve nuk do të rregullohet në nivel federal, por në bazë të kompetencave të landeve.

Hapja e shkollave planifikohet për më 22 shkurt

Disa lande duan t’i hapin shkollat gradualisht duke nisur nga java e ardhëshme. Berlini planifikon të fillojmë më 22 shkurt me hapjen e shkollave, tha kryebashkiaku që qeveris landin Michael Müller. Edhe lande të tjera janë orientuar në këtë datë, shtoi kryetari i konferencës së kryeministrave. Müller e përshkroi hapjen e shkollave dhe kopshteve si një procs të vështirë të vendimmarrjes mes dilemës për mbrojtjen e shëndetit dhe nga ana tjetër pasojave sociale nëse shkollat vazhdojnë të mbahen mbyllur. Nuk synohet hapja e menjëhershme, por “një proces gradual i mësimit në prezencë në shkollat fillore” me orare me rotacion, rregulla higjene dhe mundësi testimi për mësuesit dhe fëmijët.

Më shumë siguri në klasa dhe në kopshte pritet të arrihet përmes shtimit të testimeve të shpejta. Përveç kësaj ministrat e shëndetësisë do të mandatohen që të provojnë nëse mësuesit dhe edukatoret do të mund të vaksinohen më përpara nga sa ishte planifikaur deri tani. Merkel ka tërhequr vëmendjen, që pikërisht edukatoret nuk kanë mundësi të ruajnë distancat e nevojshme, mësohet nga pjesëmarrësit.

Incidenca 7 ditore maksimumi 35 infeksione të reja

Federata dhe landet në vendimin e tyre tërheqin vëmendjen për përhapjen e shpejtë të mutacioneve të virusit. Kjo kërkon përpjekje të shumta shtesë, për ta ulur numrin  e infeksioneve të reja. “Ndaj duhet të ruhen edhe gjatë javëve të ardhshëme rregullat për kufizimin e kontakteve.” Edhe vendimet e tjera ekzistuese si mbyllja e një pjese të madhe të dyqaneve të tregtisë me pakicë, restoranteve e bareve, muzeve dhe teatrove do të mbeten në fuqi. Një hap tjetër drejt zbutjes së masave do të merret vetëm pasi të jetë arritur një incidencë e qendrueshme shtatëditore në kuotën e më së shumti 35 infeksioneve në 100.000 banorë. Vetëm atëherë mund të rihapen dyqanet, muzeumet, galeritë e të tjera shërbime publike.

Hapja më përpara e floktoreve do të realizohet nën massa të rrepta higjene, duke pranuar hyrjen me rezervim si dhe duke përdorur maskat mjekësore. Si argument për këtë vendim jepet rëndësia që ka kujdesi për flokët në higjenën e trupit si dhe për të mundësuar këtë shërbim pas një mbylljeje të gjatë deri tani veçanërisht edhe për të moshuarit, që e kanë të nevojshëm atë.

Merkel: Rrezik nga një valë e tretë

Merkel e cilësoi rrezikun nga mutacionet e koronavirusit deri në mes të marsit si „ekzistencial” për zhvillimet e mëtejshme në sfondin e pandemisë në Gjermani. Në këtë fazë do të kuptohet, nëse koronaviruset që kanë pësuar mutacion do të dominojnë, tha Merkel.

Ka rrezik për një valë të tretë, që duhet luftuar me masa politike.

Incidenca shtatëditore, pra numri i infeksioneve për 100.000 banorë sipas Institutit Robert Koch (RKI) është ulur në 68,0  nga 72,8 që ishte një ditë më parë. Numri i rasteve të reja të infeksioneve të provuara brenda 24 orëve ka qenë rreth 8072 duke çuar kështu shifrën e përgjithshme në 2.299.996. Janë komunikuar gjithashtu 813 raste të reja vdekjeje nga koronavirusi. Gjithsej që nga fillimi i pandemisë në Gjermani kanë humbur jetën nga infeksioni 62.969 vetë.

1,5 miliardë Euro për luftimin e koronavirusit në mbarë botën

Qeveria gjermane do të ndihmojë me 1,5 miliardë Euro në mbarë botën për luftimin e koronavirusit. Këto ndihma janë pjesë e një pakete ndërkombëtare ndihme, deklaroi një zëdhënës në Berlin. Të mërkurën (10.02) pasdite Bundestagu miratoi lëvrimin e kësaj shume. Gjermania merr pjesë në programin ACT-Accelerator (Access to COVID-19 Tools), që përfshin përpjekjet ndërkombëtare në luftën kundër pandemisë. Një komponent i rëndësishëm është në të sigurimi dhe shpërndarja e vaksinave në vendet, që janë të prekura nga varfëria ekstreme./DW

 

Fraksion.com