E kishte kthyer shtëpinë dhe zyrën në bankë; SPAK sekuestron 250 mijë Euro dhe 16 mln leke cash doktorit Edvin Prifti
Pas kontrollit të banesë së gjyqtares Enkelejda Hoxha, SPAK ka bërë kontrolle edhe në banesën dhe zyrën e doktorit të QSUT-së, Edvin Prifti duke i sekuestruar 250 mijë euro dhe 160 milionë lekë të vjetra cash. Mjeku e kishte kthyer banesën dhe zyrën e tij si bankë, aq sa ka habitur edhe prokurorët e SPAK dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të cilët kanë sekuestruar shumën e parave.
Shuma e gjetur prej 250 mijë eurosh dhe 160 milionë lekëve të vjetra mendohet se janë produkti i korrupsionit të ushtruar nga mjeku Ervin Prifti me detyrë kardio-kirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” . Konkretisht në shtëpi i janë gjetur 200 mijë euro dhe 130 milionë lekë të vjetra, ndërsa në zyrë i janë gjetur cash 50 mije euro 30 milionë lekë të vjetra.
Emri i Edvin Priftit doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës, operacion që u finalizua sot me arrestimin e 13 personave, mes tyre edhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Mjeku Prifti mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën.
Sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuçi ka qenë nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, i cili priste të lirohej sot nga Enkelejda Hoxha por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës. Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj. Kjo gjë ka bërë që prokurori Altin Dumani të nisë një hetim për korrupsion për mjekun Prifti.
Super operacioni i SPAK ditën e sotmei ka vënë prangat gjyqtares Enkelejda Hoxha, e cila ishte në seancë gjyqësore për lirimin nga burgu të Saimir Petanin, i arrestuar për vrasje, i ekstraduar nga Itali për ekzekutimin e Romeo Beqirit, disa vite më parë. Hetimi i drejtuar nga prokurori Altin Dumani, ka nisur prej disa muajsh dhe ka prova, filmime e përgjime që inkriminon të arrestuarit. Emri i gjyqtares Enkelejda Hoxha lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit ai edhe Hekuran Billa, i vrarë pak muaj më parë në Tiranë. Në pranga u vunë 13 persona, mes tyre gjyqtarja Enkelejda Hoxha, Avokati Aldo Tabaku, Sekretarja Manuela Mallakuçi, Eksperti psikiatriko – ligjor Shkëlqim Korbi të cilët bashkëpunonin që nga falsifikimi i raporteve mjeko ligjore e deri tek shorti i caktimit të dosjes penale në mënyrë që ato t’i binin në dorë Enkelejda Hoxhës dhe më pas kundrejt shumës nga 6-12 mijë euro mundësonte lirimin e tyre nga burgu.
Fraksion.com