Kosovë: Dialogu me Serbinë dhe fushata elektorale në Kosovë
Dialogu me Serbinë nuk po zë shumë vend në fushatën elektorale. Analistët thonë se partitë politike duhet ta dinë se dialogu me Serbinë do të jetë një ndër sfidat e para me të cilat do të përballet qeveria e re.
“Punët për dialogun po vazhdojnë. Mirosllav Lajçak është i angazhuar për të bashkëvepruar me partnerët e BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe bashkësinë ndërkombëtare. Takimet e veçanta mes Kosovës e Serbisë do të fillojnë pasi në Kosovë të formohet qeveria e re”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, pretendenti për postin e presidentit të Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë prezantimit të programit të partisë së tij, tha se “nëse Bashkimi Evropian vazhdon ta mbajë të varur Kosovën, unë do ta hap rrugën për referendum për bashkimin me Shqipërinë”. Sipas tij “betimi për bashkim me Shqipërinë ka ardhur si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën”.
Kjo deklaratë e Haradinajt nxiti reagimin e menjëhershëm të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili Haradinajn e cilësoi si “njeri të rrezikshëm”.
“Haradinaj është njeri i rrezikshëm dhe politikan serioz që po synon të bëhet president dhe në rast se zgjidhet me mbështetjen e Albin Kurtit, atëherë do të kishin edhe Qeverinë e Kosovës e edhe presidentin që do të pajtoheshin me bashkimin me Shqipërinë. Përgjigja ime është: ju bëni punën tuaj, çfarë të doni, a ne do të kemi përgjigje të mirë dhe adekuate, e qytetarët nuk kanë se pse të shqetësohen”, ka deklaruar Aleksandar Vuçiq, transmeton mediumi serb B92.
Analistët e pavarur thonë, se diskursi politik nacionalist që po përdoret tash në Kosovë është diskurs parazgjedhor. Analisti Arton Demhasaj i tha DW-së se “ky lloj diskursi nuk duhet të merret shumë seriozisht, sepse partitë politike e përdorin këtë lloj populizmi vetëm për ta rritur numrin votave”.
“E vërteta është që secila parti politike që do të fitojë zgjedhjet dhe me këdo që të bëjë koalicion, çështja e parë me të cilën do të përballen është presioni i madh ndërkombëtar që të kthehen në dialog në mënyrë që të mbyllet dialogu dhe të arrihet një marrëveshje. Pra, partitë e kanë të qartë dhe kjo është arsyeja që nuk po merren shumë në publik me këtë çështje”, thotë Demhasaj. Sipas tij deklarata e Haradinajt për referendum për bashkim me Shqipërinë – siç thotë – ”nuk është ide parësore, por kjo mund të përdoret si kartë e dytë nga Haradinaj”.
“Pikërisht ishte dialogu me Serbinë pse kanë rënë qeveritë deri tash dhe se përse ato nuk kanë qenë të qendrueshme”, thotë Demhasaj.
Analisti Naim Rashiti i tha DW-së, se: “Kushdo që vjen në pushtet, dialogu do të mbetet temë përçarëse derisa të këtë një marrëveshje apo një koordinim politik të brendshëm ndërinstitucional dhe ndërpolitik. A do të ndodhë kjo nuk e di, sepse për shumë kënd kanë humbur shpresat, sepse të gjitha partitë politike dhe liderët politik janë të papërcaktuar për një zgjidhje dhe s’kanë agjendë të qartë për dialogun me Serbinë”, thotë Rashiti. Sipas tij, nëse subjektet politike nuk ulen bashkërisht dhe hartojnë një strategji të qartë, atëherë “nuk do të ketë dialog të mirëfilltë dhe nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë”.
Një analist tjetër Blerim Burjani, mendon se dialogu me Serbinë nuk mund të zhvillohet pa një qeveri stabile dhe me fuqi përkrahëse në Kuvend.
“Pra ky është kusht për të pasur negociata me një rezultat efektiv dhe zbatues të ndonjë marrëveshje të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kosova sërish ka nevojë për asistencë ndërkombëtare në krijimin e një qeverie funksionale, që nuk rrëzohet para se të arrihet ndonjë marrëveshje me Serbinë. Duke parë zhvillimet në vend nuk është shumë premtuese se do të ketë një qeveri stabile”, thotë Burjani.
Sidoqoftë, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi i ngarkuari i BE-së për këtë dialog Mirosllav Lajçak, javën që shkoi shpalosi planet e tij para përfaqësuesve të shteteve të Evropës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, por detajet nuk i bëri të ditura. Ai shkroi në Twitter: “i informova ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe delegatët e rajonit perëndimor të Ballkanit për vitin tim të parë dhe punën që kanë bërë. Gjithashtu, i kam shpalosur planet e mia për javët dhe muajt në vazhdim. Jam shumë i inkurajuar nga mbështetja e fortë nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, shkroi Lajçak në Twitter./DW
Fraksion.com