AktualitetPolitikëTë fundit

Basha prezanton programin për turizmin: Do rrisim numrin e turistëve të huaj me 15%, dyfishim i kapaciteteve akomoduese

Kreu i Partisë Demokratike ka prezantuar sot programin për turizmin, duke theksuar angazhimin për rritjen e numrit të turistëve të huaj me 15% në vit.

Basha gjatë fjalës së tij, tha se Shqipëria fiton kur ka një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten e saj.

“Shqipëria fiton kur qeveria angazhohet ndaj njerëzve për të zbatuar planet e saj.
Shqipëria fiton kur qeveria në fakt ka një plan konkret. Shqipëria fiton kur të sjellim 110.000 vende pune! Fiton kur të ngremë pagat e mjekëve dhe infermierëve tanë të palodhur! Pagat e arsimtarëve dhe pedagogëve. Shqipëria fiton kur fëmijët tanë të marrin arsimin më të mirë të mundshëm!”,- deklaroi Basha.

“Ne jemi të bekuar me vendin më të bukur në botë. Kemi plazhe të mrekullueshme. Kemi peisazhe madhështore, që nuk gjenden askund tjetër. Kemi kaq shumë për t’i ofruar botës, por që i japim kaq pak. Nëse ne arrijmë potencialin tonë të vërtetë, do mund të bëjmë shumë gjëra të mëdha së bashku”,- tha Basha.

“Turizmi është një nga bazat e ekonomisë tonë. Si shumë fusha të tjera, edhe ai është lënë pas dore. Kur nuk ecën para, nuk mbetesh në vendnumëro, por rrëshqet prapa. Shikoni vetëm vendet e Ballkanit rrotull nesh. Shikoni si lulëzon industria e tyre e turizmit. Ata kanë kuptuar pikërisht atë që kjo qeveri nuk e ka bërë kurrë: nëse investon në mënyrën e duhur, nëse vendos të kujdesesh për njerëzit dhe jo për veten, mund të arrish gjëra të mëdha! Niveli i punësimit në industrinë e turizmit, të ardhurat mesatare nga turistët dhe kohëzgjatja e sezonit turistik, janë të ardhurat më të ulëtat në rajon! Kjo duhet të ndryshojë!”,- thekson Basha.

Ai sqaroi se “në muajt e fundit PD ka punuar me specialistët më të mirë në industrinë e turizmit, si nga Shqipëria, ashtu edhe nga bota, për t’i sjellë Shqipërisë një plan pune konkret që do të ndryshojë të ardhmen e turizmit shqiptar”.

“Unë angazhohem se ne do ta trajtojmë turizmin si një projekt madhor kombëtar. Çdo projekt i lidhur me turizmin, çdo investim i lidhur me të, do të marrë përparësi nga qeverisja jonë. Kjo është rruga për ta vendosur Shqipërinë të parën. Unë angazhohem të rrisim kontributin e drejtpërdrejtë nga turizmi në ekonominë tonë nga 8 në 10% Angazhohem të dyfishojmë kontributin në punësim nga rritja e turizmit në ekonomi 40.000 në 80.000 vende pune. Kjo do ta ndryshojë ekonominë tonë. Do t’u japë njerëzve punë dinjitoze dhe shpresë. Angazhohem të dyfishojmë kapacitetet akomoduese. Duke hapur kështu dyert për më shumë turistë. E për pasojë do të kemi më shumë vende të reja pune.  Angazhohem të punoj për të rritur kohëzgjatjen e sezonit turistik, përmes diversifikimit të ofertave turistike: Bregdetare Malore, Rurale dhe Kulturore Kështu ne do të dyfishojmë kohën e qëndrimit të turistëve të huaj në vendin tonë. Do t’u japim atyre më shumë arsye stimuluese për ta vizituar Shqipërinë. Si rrjedhojë e këtyre masave qeveria e re angazhohet të rrisë numrin e turistëve të huaj me 15% në vit”,- tha Basha.

“Turizmi është një nga bazat e gjithë ekonomisë tonë kombëtare. Ne mund të marrim shumë më shumë prej tij. Mundemi dhe me ndihmën tuaj, do ta marrim. Shqipëria do të fitojë. Më 25 prill ne do ta largojmë qeverinë më të keqe në historinë e Shqipërisë dhe bashkë do ta ndryshojmë të ardhmen e vendit”, – përfundoi Basha.

 

Fraksion.com