AktualitetTë fundit

Ashpërsimi i masave anti- Covid, Manastirliu: Dy javët e ardhshme janë vendimtare

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi sot ndalimin e qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh në mbledhjen e sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve  se “gjendemi në një moment sa delikat dhe të rëndësishëm. Ndodhemi në një situatë kur, dyshimet e arsyeshme na bëjnë të mendojmë për praninë e mutacioneve të reja të virusit. Jemi në një situatë kur, me gjasë prej këtyre mutacioneve, kemi një shtim të ndjeshëm të infektueshmërisë. Jemi në një kohë kur, kushtet atmosferike – jemi në mes të dimrit – e bëjnë edhe më të pafavorshme situatën”.

Ajo vuri në dukje se “kemi shtim të numrit te infektimeve, kemi ulje të moshës së të prekurve si rrjedhoje dhe e relaksimit të sjelljes pas festave të fundvitit dhe periudhës më pas,  ndaj si pasojë e çfarë përmenda më sipër kemi një shtim të ndjeshëm të misioneve të Urgjencës Kombëtare, të misioneve në banesë dhe transferimeve në spitale.  Kjo situatë është shoqëruar dhe shtim të shtrimeve në spitale dhe rritje të numrit të pacienteve në terapitë intensive”.

Ministrja sqaroi se masat do të rivlerësohen pas dy javësh, në varësi të situates epidemiologjike dhe treguesve që ekspertët monitorojnë.

Për rregullat që kemi aktualisht dhe për këto masa të reja të sapo shpallura, nuk do të ketë tolerancë për moszbatimin e masave dhe protokolleve antiCOVID. Task Forca AntiCOVID do të jetë 24 orë në terren për të monitoruar zbatimin e masave, në çdo cep të vendit.

Manastirliu theksoi se dy javët e ardhshme janë vendimtare. “Janë vetëm dy javë dhe nga gjithësecili kërkohet një sakrificë. Janë dy javë kur zinxhirit të infeksionit duhet t’i vëmë përballë zinxhirin e solidaritetit mes nesh. Mes qytetarëve dhe autoriteteve shëndetësore. Zbatimi i masave në dy javët e ardhshme, do të vendosë: do të kemi shtrëngim të mëtejshëm të tyre, apo do të kemi lehtësim.E kuptoj shumë mirë shqetësimin, por e kam thënë dhe e përsëris: në piramidën e të drejtave, Shëndeti ka qenë është dhe do të mbetet në majë të kësaj piramide”, u shpreh ministrja.

Ajo apeloi për mobilizim, respekt dhe përkushtim. “Mobilizim nga të gjithë, stafe mjekësore dhe qytetarë për të zbatuar rregullat, dhe duke bërë kështu, shpëtuar jetë familjarësh, miqsh, të njohurish. Respekti për rregullat është respekt për jetën, për veten, për prindin, për të afërmit. Përkushtim për një tjetër sforco në përpjekjet tashmë pothuaj një-vjeçare përballë një pandemie që më lejoni ta kujtoj sërish, pllakos një herë në njëqind vjet dhe e cila ka vënë në vështirësi serioze sistemet shëndetësore kudo në botë (Portugalisë i kanë shteruar shtretërit dhe po kërkon ndihmë urgjente nga vendet e tjera të BE), tha ministrja.

Sipas saj, virusi është nëpër këmbë dhe në ka një gjë që na ka treguar ky vit, ajo është: Virusi “bën festë” dhe gjen shtigje, çdo herë që relaksohemi dhe ulim vigjilencën, duke gënjyer veten pikësëpari, se ia hodhëm.

“Jo, nuk ia hodhëm. Është një luftë që vazhdon kjo. Më lejoni ta përsëris, zinxhirin e infeksionit do ia dalim ta këpusim vetëm përmes zinxhirit të solidaritetit mes nesh. Qytetarë, autoritete, media, të gjithë bashkë”, apeloi ministrja.

Fraksion.com