AktualitetPolitikëTë fundit

“Kemi siguruar 1.6 milionë doza nga Pfizer”; Rama: Trajtimi në banesë i financuar 100% me 1.2 miliardë lekë të reja

Kryeministri Edi Rama e deklaroi sot se, “Deri tani janë 3656 mjekë dhe infermierë që vazhdojnë paguhen me 1 mijë euro plus rrogës në muaj dhe do të vazhdojnë të paguhen deri në fund të kësaj lufte. Janë 1212 staf mbështetës, që vazhdojnë paguhen me 500 euro plus rrogës në muaj dhe do të vazhdojnë të paguhen deri në fund të kësaj lufte”.

Në një konferencë për shtyp Rama bëri një panoramë të gjithçkaje është bërë deri tani lidhur me përballjen me  COVID.

“Për të përballuar këtë luftë janë përfshirë në sistemin e mbrojtjes tonë nga COVID-i 464 të rinj në stafet mjekësore dhe infermierore duke garantuar një rritje kapacitetesh sipas nevojës”, u shpreh Rama.

“Spitalet COVID janë të pajisur me të gjitha aparaturat që duhen dhe gjenden në çdo spital të Europës, nuk mungon asgjë. Kapaciteti i aparaturave respiratore është thuajse trefishuar”, shtoi Rama.

“Është punuar dhe punohet përditë për rritjen e kapaciteteve në çdo drejtim, njerëzore dhe logjistike në të gjithë hallkat e zinxhirit të sistemit tonë të kujdesit shëndetësor”, tha Rama.

“Terapitë e mjekimit dhe medikamente sipas protokollit të shërbimeve spitalore janë të unifikuara me ato të vendeve të tjera. Trajtimi në banesë është është financuar 100% me 1.2 miliardë lekë të reja në dy skema mjekimi”, tha Rama, duke u bërë thirrje qytetarëve në emër të ekspertëve, “mos dyndni veten dhe të afërmit tuaj me ilaçe. Mos bini pre e 20 mijë mënyrave dhe sugjerimeve që vijnë nga 20 mijë drejtime me qasje komplet kontradiktore, por referojuni vetëm 2 skemave bazë të mjekimit, sepse faktikisht, po të ishte gjetur kura  për ta vrarë COVID-in do të ishte e njohur botërisht”.

Rama theksoi se, “e gjithë bota e ka shumë të qartë porosinë. Jo ilaçeve të tepërta, jo këshillave dhe sugjerimeve nga të 4 anët. Por atij protokolli me 2 skema të thjeshta që në pamje të parë duken si thjesht skema për të adresuar një grip, por që në fakt janë të vetmet skema që janë botërisht të unifikuara dhe që nuk bëjnë dëme. Dyndja me ilaçe dëmton financat, dëmton shëndetin dhe mund të sjellë pasoja të parekuperueshme pastaj kur është vonë për të shkuar tek dera e spitalit”.

“Flota e ambulancave është zgjeruar me 36 ambulanca të reja. Sot në terren kemi 100 ambulanca të reja që merren vetëm me këtë punë”, tha Rama.

Ndërkohë, shtoi Rama, “ajo çka mbetet shumë e rëndësishme në këtë proces është transformimi epokal i urgjencës. Sot ne kemi një Urgjencë Kombëtare me një kapacitet të provuar, të faktuar, të regjistruar kompjuterikisht me një numër shërbimesh në kohë që as nuk mund të imagjinoheshin vetëm pak vite më parë”.

“Kapacitetet laboratorike janë rritur 4-fish nga dita e fillimit të kësaj lufte dhe numri i testimeve është 10-fishuar në krahasim me muajin qershor. Kanë hyrë në përdorim testet e shpejta që ofrohen sot në 53 pika testimi në komunitet pranë qendrave shëndetësore ku janë kryer deri tani 80 mijë teste. Numri i epidemiologëve në terren për gjurmimin e COVID-it është rritur me 30 %, duke garantuar që 90% e të dyshuarve të shikohen dhe të izolohen brenda 48 orëve”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, “ky është një proces i vështirë, ky është një proces sfidues, ky është një proces ku o jemi bashkë dhe secili bënë detyrën e vetë dhe ja dalim  faqebardhë, o pastaj turpërohemi bashkë për shkak të një, qoftë dhe të një thyerje të vetme të zinxhirit të solidaritetit”.

Duke folur për vaksinat, Rama tha se, “dua të kthehem në vitin 2013 për një moment. Zero vaksina për gripin zero. Ndërkohë që ne kemi mundësuar vaksinën e gripit falas për mbi 350 mijë qytetarë. 4 herë më shumë sesa në vitin 2019 për të gjitha kategoritë e rrezikuara’.

“Dhe nga ana tjetër kemi siguruar vaksinën në kushte absolutisht të pafavorshme për vendin tonë, për arsyet që i dini dhe nuk po i përsëris dhe kemi nisur fushatën e vaksinimit duke u ndeshur dhe ne si të gjithë të tjetër me një vonesë të shkaktuar nga presioni i jashtëzakonshëm i kërkesës globale mbi kompaninë Pfizer dhe vendimi i tyre për të ndalur për një moment për të investuar me shpejtësi në rritjen e kapaciteteve prodhuese. Sidoqoftë kemi siguruar deri tani 1.6 milionë doza për 800 mijë qytetarë nëpërmjet kontratës së drejtpërdrejtë me Pfizer-in dhe mekanizmit të COVAX-it. Jemi në negociata me të tjerë, qoftë me kompani të tjera vaksinash, qoftë me shtete të tjera”, theksoi Rama.

 

Fraksion.com