Eksperti ligjor: Avokatët e ish-presidentit keqinterpretuan argumentet e mia
Një ekspert ligjor i cituar nga ekipi mbrojtës i zotit Trump për të mbështetur argumentet e tyre se gjykimi i një ish-presidenti është jo-kushtetues, thotë se ekipi i ka shtrembëruar interpretimet e tij.
Profesori i jurisprudencës në Universitetin Shtetëror të Miçiganit Brian Kalt tha për agjencinë e lajmeve Reuters se studimet e tij nuk janë prezantuar me saktësi në dokumentin me 78 faqe që kanë depozituar avokatët e zotit Trump një ditë para fillimit të gjyqit.
Në dokumentet me argumentet e tyre, avokatët e ish-presidentit hedhin poshtë pretendimet e demokratëve se ai nxiti turmën për të sulmuar Kapitolin, si dhe theksojnë se gjyqi është jo-kushtetues.
Zoti Kalt, së bashku me ekspertë të tjerë ligjorë, kanë bashkuar forcat duke argumentuar se ekziston baza kushtetuese për zhvillimin e gjyqit.
“Nuk kishin përse të tregoheshin kaq të pandershëm dhe mashtrues,” tha zoti Kalt përmes Twitterit duke shtuar se “në disa faqe ata shtrembëruan keq ato që kam shkruar”.
David Schoen, një nga avokatët e zotit Trump tha se nuk ishte nisur me qëllim për të shtrembëruar punën e zotit Kalt.
“Profesor Kalt nuk është dakord me qëndrimin tonë, por ai e ka shpjeguar shumë mirë këtë qëndrim dhe donim t’ia vlerësonim meritën,” tha zoti Schoen për agjencinë e lajmeve Reuters. “Ju siguroj se nuk kishim kurrë për qëllim të shtrembëronim pikëpamjet e zotit Kalt”.
Akuza për “nxitje rebelimi” e miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve më 13 janar bazohet tek fjalimi që mbajti ish-presidenti para turmës së përkrahësve, pak para se ata të sulmonin me dhunë Kapitolin, gjë që ndërpreu punimet për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe la pesë të vdekur, ndër ta edhe një polic.
Avokatët e ish-Presidentit Trump po përpiqen të bindin Senatin e ndarë 50-50 të mos shpallin fajtor presidentin.
Avokatët e presidentit e cilësojnë gjyqin “një akt të paturpshëm politik” të demokratëve, të nxitur nga etja për “teatër politik” me synimin për “t’i mbyllur gojën një kundërshtari politik dhe një partie pakicë”.
Mandati i Presidentit Trump përfundoi më 20 janar.
Shpallja fajtor e ish-Presidentit kërkon një shumicë prej dy të tretave, që do të thotë se 17 republikanë të Senatit do të duhet t’u bashkohen 50 demokratëve në votimin përfundimtar.
Bazuar në komentet publike, duket se kjo ka pak mundësi të ndodhë./VOA
Fraksion.com