AktualitetPolitikëTë fundit

Basha takim me pensionistët: Rimbursim i ilaçeve sipas diagnozës, dyfishimi i ndihmës ekonomike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi me pensionistë në Tiranë, u shpjegoi programin “Shqipëria Fiton Mirëqenie” dhe përfitimet që do të ketë kjo grupmoshë direkt dhe indirekt.

Basha tha se në planin e punës që do të zbatohet nga qeveria e tij pas zgjedhjeve të 25 prillit parashikohet rritje e pensioneve. Po kështu pensionistët do të jenë përfitues të skemës së rimbursimit të ilaçeve, uljes së çmimit të energjisë elektrike. Plani i detajuar, tha Basha është produkt i një pune dyvjeçare, i një konsultimi të gjerë dhe i përshtatur me situatën që po kalon vendi.

“E dimë që njerëzve u ka ardhur në majë të hundës me premtime boshe, me premtime të pambajtura, prandaj jemi kujdesur që para shqiptarëve të mos vijmë me premtime, por të vijmë me një plan pune konkret. Një plan pune i cili të jetë plotësisht i realizueshëm, duke filluar nga dita e parë e qeverisjes pas 25 prillit. Dhe për këtë arsye, plani nuk paraqet mrekulli, por paraqet gjithçka që ne mund dhe do të zbatojmë në përputhje me nevojat e njerëzve dhe me mundësitë e vendit. Dhe dua të marr një shembull konkret për të gjithë ata që pyesin: ku do t’i gjeni paratë? Në 2005-ën, besoj e mbani mend të gjithë se ku ishin pensionet në qytet dhe në fshat. Ishin në nivele të mjerueshme. Ne morëm angazhim atëherë për rritjen e pensioneve në qytet dhe për rritjen e pensioneve në fshat. Dhe ju e dini fare mirë se pensionet mesatare edhe në qytet, edhe në fshat u rritën në mënyrë shumë të ndjeshme”.

“Shporta ushqimore është bërë 40 % më e shtrenjtë. Pra, gjithçka, buka, vaji, sheqeri, ushqimet bazë janë rritur në mënyrë të ndjeshme, ndërkohë që pensionet janë rritur më pak sesa ç’është rritur inflacioni. Pse ka ndodhur kjo? Kjo qeveri taksat i ka rritur krahasuar me 8 vite më parë. Kjo qeveri ka marrë borxh shumë më shumë sesa qeverisja e para 8 viteve. Pra, edhe borxhin e ka rritur, edhe taksat i ka rritur, ndërkohë pensionet i ka rritur më pak sesa inflacioni. Do të thotë që për ju jeta është bërë edhe më e shtrenjtë, mesatarisht. Kjo tregon që gjithçka është produkt i vendimeve të qeverisë. Është qeveria ajo që vendos të rrisë apo të ulë taksat, është qeveria ajo vendos se çfarë do bëjë me këto taksa. Në qoftë se i rrit taksat, në qoftë se rrit borxhin dhe e ke mendjen të harxhosh dhjetëra-miliona euro për të qepur dhe shqepur 10 herë sheshin “Skënderbej”, apo sheshet e qyteteve, apo për të bërë tendera me 5-fish çmimin, siç ka bërë kjo qeveri në 8 vite, padyshim që s’të mbeten lekë pastaj për pensionet, sepse s’e ke mendjen tek pensionistët; s’e ke mendjen tek familjet; s’e ke mendjen tek njerëzit. E ke mendjen tek aferat. Ama nëse vendos njerëzit të parët, vendos prindërit e shqiptarëve të parët, absolutisht që i ke të gjitha mundësitë të rrisësh pensionet”, – tha Basha.

Kreu i opozitës u tha pensionistëve se qeveria e ardhshme angazhohet që të rrisë pensionet sa dyfishi i normës së inflacionit.

“Angazhimi ynë është rritja e pensioneve me dyfishin e normës së inflacionit çdo vit. Dhe të paktën 5 % nëse inflacioni është më i ulët. Që do të thotë vit pas viti 650 mijë pensionistë shqiptarë do të përfitojnë rritje jo më pak se 5 % të pensioneve çdo vit. Kjo natyrisht nuk i zgjidh problemet e mëdha që ka mosha e tretë, as nuk është ajo që ne duam që ju të keni, por të paktën është një hap përpara krahasuar me atë që kemi pasur deri më sot dhe do të shoqërohet edhe me hapa të tjerë që kanë të bëjnë me problemet kryesore të pensionistëve: me faturën e dritave, me faturën e ilaçeve. Po ka të bëjë edhe me mundësitë që u jepen fëmijëve tuaj. Në qoftë se një çifti të ri i cili jeton me prindërit se nuk merr dot kredi për të blerë një apartament, ne i japim mundësinë që t’ia subvencionojmë 100 % interesin e kredisë, atëherë padiskutim ju kemi lehtësuar edhe ju në njëfarë mase”, tha Basha./atsh

 

Fraksion.com