Basha: Sistemi i shëndetësia në kolaps, Rama po e përdor pandeminë politikisht
“Të gjithë e panë se si Shqipëria ka sot një sistem shëndetësor në kolaps total”, tha sot kryetari i PD-së, Lulzim Basha në një komunikimin sot me gazetarët, ndërsa theksoi se Rama po e përdor pandeminë politikisht.
I pyetur lidhur me ashpërsimin e masave për situatën antiCOVID, Basha tha se, “në fakt i gjithë treorëshi i sotëm që po bëhet mërzia e çdo ekrani dhe e çdo shqiptari, kishte një tjetër qëllim, të fshihte dështimin e Edi Ramës jo vetëm me pandeminë, por me shëndetësinë në tërësi. 8 vite në krye të qeverisë”.
“Ka pasur 8 vite kohë të plotësonte premtimin e tij për shëndetësi falas. Le t’i drejtohemi çdo shqiptari sot: Ku është shëndetësia sot? Ku është shëndetësia falas? Ku kanë shkuar paratë e taksave të shqiptarëve? Taksat i kanë paguar, taksat janë rritur, faturat janë rritur. Pandemia e nxori zbuluar dështimin total të Edi Ramës me shëndetësinë. Pse? Sepse paratë që u ka marrë shqiptarëve ua ka çuar PPP-ve dhe koncesioneve korruptive në shëndetësi dhe gjatë gjithë këtyre 8 viteve shqiptarët kanë paguar faturën. Kush është detyruar të çojë të afërmit në spital, pacientët shqiptarë e kanë parë dhe e kanë provuar këtë 8 vite me radhë. Tani gjatë pandemisë e pa çdokush. Të gjithë e panë sesi Shqipëria ka sot një sistem shëndetësor në kolaps total. Me numrin më të ulët të testimeve, me numrin më të ulët të mjekëve për banorë, me mjekë dhe infermierë të keqpaguar. Tirja është produkti i vetëm i Edi Ramës në 8 vite”, tha ai.
Basha shtoi se, “kishte 8 vjet në dispozicion, kishte një premtim madhor me të cilat mori votat, shëndetësia falas. 2 muaj para se të largohet me votën e shqiptarëve del dhe bën shpikje të tjera, pse? Për t’iu kundërvënë programit tonë, planit tonë për shëndetësinë? Që është një plan realist dhe rruga e duhur për ta nxjerrë sistemin shëndetësor nga kriza ku e zhyti Edi Rama për 8 vite me radhë. Vetëm dështime, nuk bëri asgjë. Më falni, një gjë bëri. Paratë ua mori qytetarëve ua dha miqve të tij për koncesione. Në kohën e pandemisë i la pa asnjë ndihmë ekonomike shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe të sipërmarrjeve shqiptare. Kemi paktën më të ulët në krahasim më çdo vend tjetër të rajonit, kemi numrin më të ulët të testimeve dhe kemi fshehje të vazhdueshme të dhënave përmes të cilave pastaj ky pretendon se ngaqë fsheh të dhënat e keqja nuk ekziston, por fakti është që Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të infektimeve”.
Ai shtoi se, “fakti është që vetë institucionet shtetërore tregojnë se është vendi me numrin më të lartë të vdekjeve diçka që unë e denoncova në nëntor dhe që u përpoq ta fshihte. Këto nuk janë numra, janë nëna, baballarë, familjarë. Nuk janë më mes nesh për shkak të dështimeve të Edi Ramës”.
Basha tha se, “e rëndësishme është çfarë do të bëjmë për të dalë nga gropa ku e ka futur edhe shëndetësinë shqiptare Edi Rama dhe rruga për të dalë nga kjo gropë kalon përmes propozimeve të planit tonë, që është një plan konkret”.
“Së pari, stabilizimi i situatës. Rrogat për mjekët dhe infermierët, pagat për mjekët dhe infermierët në mënyrë që të ndalim largimin e tyre masiv jashtë shtetit. Shtimi i numrit të mjekëve dhe infermierëve përmes shtimit të kapaciteteve trajnuese dhe krijimin e një fakulteti të ri mjekësie. Parimi që paraja ndjek pacientin, që do të thotë karta e pacientit në mënyrë që pacienti të jetë në gjendje ta marrë shërbimin aty ku dëshiron sipas çmimeve dhe listës së çmimeve që përcakton qartësisht te institucionet ku ofrohet shërbimi shëndetësor. Që nga mjeku i familjes, tek specialisti, tek spitali. Trajtimin e mjekëve specializantë si një pjesë shumë e rëndësishme e sistemit, për të cilën kemi propozuar 80 % të pagës së mjekut apo 900-950 euro në muaj, për t’i mbajtur këtu, sepse siç e dini ju gjithë kohën e lirë shumica dërrmuese e mjekëve dhe e infermierëve po e kalojnë për të mësuar gjermanisht, ose për një gjuhë tjetër dhe për t’u larguar. Decentralizimin e spitaleve në mënyrë që vendimmarrja për t’i shërbyer pacientit të jetë ajo që do të vendosë sjelljen e mjekëve nëpër spitale dhe jo kontrolli politik, nepotizmi, “kë njeh”, “kë s’njeh”, që e kanë çuar sistemin spitalor në një kolaps total”, tha ai.
Fraksion.com