AktualitetPolitikëTë fundit

Situata e COVID; Rama: Rritje e gjobave për baret, restorantet dhe qendrat tregtare; Policia dhe inspektoriatet të …

“Nëse nga ana e tregtarëve nuk ka reagim të menjëhershëm do të jetë Policia e Shtetit dhe inspektoriatet që do imponojnë me forcë zbatimin e masave antiCOVID dhe natyrisht edhe me të gjitha gjobat përkatëse, të cilat do t’i rrisim”.

Deklaroi Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp sot me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes  Sociale, Ogerta Manastirliu lidhur me situatën e COVID-19 në vendin tonë.

“Së shpejti në ditët në vijim do të rrisim gjobat për lokalet, baret, restorantet, qendrat tregtare dhe do të bëjmë një shkallëzim sipas hapësirave dhe sipas kushteve për abuzimin”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “duke filluar nga tregtarët, të cilët me të gjithë fleksibilitetin, mirëkuptimin e  autoriteteve shtetërore për t’i mos i ngarkuar më shumë psikologjikisht, por edhe për të mos i frenuar në rimëkëmbjen e vështirë pas asaj goditje që morën vitin e shkuar nuk duhet në asnjë mënyrë ta marrin si një mundësi për të abuzuar, sigurisht edhe të tjerët. Por tregtarët kanë përgjegjësi të posaçme pasi janë në mjediset e tyre ku është edhe ndërveprimi më i madh mes njerëzve dhe ku është edhe rreziku më i madh”, – theksoi Rama.

Sipas Kryeministri, nuk është rreziku më i madh në rrugë, në zyra, në shtëpi, por rreziku më i madh është pikërisht aty ku është edhe ndërveprimi më i madh.

“Nëse nuk duan të kthehemi tek masat e forta kufizuese duhet sot të mos kërkojnë të nxjerrin maksimumin duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe duke vënë në rrezik stabilitetin e sistemit tonë shëndetësor”, – shtoi Rama.

Për kreun e qeverisë,  Policia e Shteti ka pasur fleksibilitet maksimal, inspektoriatet e angazhuar në këtë proces kanë pasur fleksibilitet maksimal.

“Ne nuk duam që Polica e Shtetit e inspektoriatet të hyjnë e të dalin nëpër lokale, bare, restorante e klube sepse kjo nuk është më e mira për ecurinë e aktivitetit tregtar apo në qendra tregtare apo  nëpër dyqane. Por nëse nga ana  e tregtarëve nuk ka reagim të menjëhershëm, atëherë do të ndodhë kështu”.

Kryeministri Rama tha se “e kam shumë mik Ermal Mamaqin, por është e patolerueshme të mblidhet mileti në atë formë siç ndodhi. Nuk mund të akuzohem se po bëj ndonjë goditje selektive në kushtet kur është një personazh i mirënjohur dhe respektuar nga të gjithë është e patolerueshme. Është shembulli më i keq që mund të japim kur kemi edhe detyrimin si persona publikë të japim shembullin më të mirë”.

Më tej Rama u shpreh se “lokalet në bllok, lokalet në zona të caktuara në Tiranë dhe jo vetëm në Tiranë, lokalet më të mira me më shumë fitime, lokalet me më pak dhimbje koke të të bëhen vatra ku kërcen COVID me muzikë, është e patolerueshme”.

“Mirëkuptim për të gjithë, por kjo thirrje është për solidaritet, unitet për të mos hapur të çara në një front që do të jetë i bashkuar ku secili luan rolin e vet. Ku qeveria ka përgjegjësinë e madhe të udhëheqë e koordinojë të gjithë aktorët e tjerë. Media ka përgjegjësitë e mëdha të nxjerrë në pah problematikat e shkeljet e rregullave, por ku ata që  duhet të zbatojnë rregullat, tregtarët, biznesmenët kanë përgjegjësinë e madhe të jenë pjesë e frontit duke zbatuar rregullat”, – tha Rama.

 

Fraksion.com