AktualitetTë fundit

Policia tregon si të mbroheni; Po hetohet disa raste të vjedhjes së llogarive në rrjetin ‘Wahtsapp’

Prej disa ditësh në vendin tonë në njësinë për hetimet kibernetike janë kallëzuar disa raste në lidhje me ndërhyrjen në të dhënat personale në aplikacionin Whatsapp që përdorin qytetarët.

Autori apo autorët ende nuk janë identifikuar. Këta persona, kanë krijuar një skemë ku i shkruajnë qytetarëve në Whatsapp, këtë mesazh që shihni në foto:

“Përshëndetje. Më falni, ju kam dërguar një kod 6-shifror me SMS gabimisht. Mund ta transferoni tek unë? Është urgjente”.

Por, nëse qytetari ia dërgon këtë kod mbrapsh, autorët e këtij krimi, numrin e viktimës e regjistrojnë në një pajisje si numrin e tyre duke ndërhyrë kështu në të dhënat personale. Sipas policisë, autorët që kryejnë këtë sulm, kanë njohje të mëparshme me viktimën. Pra autori nis mesazh nga llogaria në Whatsapp e një viktime tjetër.

Sipas të dhënave që njësia për hetimin e krimi kibernetik disponon, personat që rrezikojnë më shumë janë ata që përdorin Whatsapp-in. Autorët tashmë kanë krijuar një sulm zinxhir tek kontaktet e gati të gjithë personave që kanë rënë preh e këtij sulmi.

Suela Bonjaku, specialiste në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike: Nëse personat që janë bërë shënjestër nga autori nuk reagojnë apo nuk dërgojnë numrin gjashtëshifror, autori do të vazhdojë të këmbënguli, por nuk mund të realizojë asnjë veprim tjetër dhe as atë veprim për të cilin ishte nisur të kryente, pra marrjen e llogarisë “WhatsApp”.

Ndërkaq, policia bën thirrje që qytetarët të ruajnë të dhënat e tyre personale dhe të mos ndërveprojnë me persona të panjohur.

Deklarata e plotë:

Deklaratë për shtyp në lidhje me sulmet kibernetike në të dhënat personale – Suela Bonjaku, specialiste në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në vazhdimësi të punës së saj të përditshme, prej disa kohësh ka evidentuar problematika që kanë të bëjnë me rrjetet e komunikimit.

Për të sqaruar më mirë opinionin publik, bëhet fjalë për një situatë serioze, e cila ka të bëjë me “Ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike” dhe më saktësisht me marrjen e të drejtave të hyrjes në aplikacionin “WhatsApp” nga persona të paautorizuar.

Aplikacioni “WhatsApp” aktivizohet në pajisjet e zgjuara nëpërmjet një procedure e cila është e përcaktuar nga kompania dhe për të bërë lidhjen e aplikacionit me numrin e telefonit të përdoruesit ose krijimin e llogarisë, kompania “WhatsApp” dërgon një kod gjashtëshifror në numrin tuaj të telefonit. Më pas, me anë të këtij numri, llogaria juaj aktivizohet.

Përdorues të panjohur, deri më tani kanë krijuar një skemë për marrjen e llogarive të aplikacionit “ËhatsApp” duke regjistruar në një pajisje numrin e telefonit celular të viktimës sikur të ishte numri i tyre dhe më pas i dërgojnë viktimës në “WhatsApp” kërkesën për t’ia ridërguar kodin gjashtëshifror, me arsyetimin që është dërguar gabim.

Theksojmë se kjo kërkesë në “WhatsApp” vjen nga një person i cili ka njohje të mëparshme me viktimën dhe që ka qenë dhe ai/ajo viktimë e këtij sulmi, pra autori nis mesazh nga llogaria e një viktime tjetër.

Nëse personat që janë bërë shënjestër nga autori nuk reagojnë apo nuk dërgojnë numrin gjashtëshifror, autori do të vazhdojë të këmbënguli, por nuk mund të realizojë asnjë veprim tjetër dhe as atë veprim për të cilin ishte nisur të kryente, pra marrjen e llogarisë “WhatsApp”.

Po ashtu sqarojmë opinionin publik se marrja e llogarisë “WhatsApp” nuk mund të bëhet pa ndërveprimin tuaj me autorin apo pa patur autori të drejta përdorimi në telefonin tuaj.

Personat/autorët që po kryejnë këto vepra kriminale aktualisht janë duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Aktualisht, sipas të dhënave që kjo njësi disponon, personat më të prekur janë nga grupet shoqërore që përdorin aplikacionin “WhatsApp” dhe nisur nga skema e përdorur kemi një sulm zinxhir tek kontaktet e gati të gjitha llogarive të viktimizuara.

Në vazhdimësi dhe të njoftimeve të mëparshme të Njësisë për Hetimin e Krimeve Kompjuterike për ruajtjen e të dhënave personale, iu bëjmë thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që të bëjnë kujdes përsa i përket kontaktimit nëpërmjet mesazheve si telefonike, po ashtu dhe të rrjeteve sociale, duke qenë se rrezikojnë në çdo rast për të dhënë akses në mënyrë të pavullnetshme në të dhënat e tyre personale. Të gjithë qytetarët duhet të respektojnë rigorozisht rregullat si më poshtë:

➢ Asnjëherë mos ndani kodin tuaj gjashtëshifror me një person tjetër;

➢ Vendosni mënyrën e verifikimit me 2 hapa;

➢ Mos ndani informacionin tuaj personal me asnjë person tjetër;

➢ Bëni kujdes nëse merrni telefonata nga biznese apo persona të panjohur;

➢ Bëni kujdes nëse një kontakt i juaji apo një person i panjohur ju kërkon kthimin e një mesazhi të gabuar apo kërkon me çdo mënyrë të kontaktojë me ju.

Duke patur parasysh që teknologjia përparon çdo ditë dhe mënyra të reja mund të rezultojnë në çdo moment, qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për çdo situatë për të cilën mund të dyshojnë.

Si përfundim sqarojmë opinionin publik se deri tani, Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit po vazhdon hetimet me rastet e evidentuara në bazë të kallëzimeve të marra nga qytetarët.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike i bën thirrje cilitdo që beson apo dyshon se ndodhet përpara një rasti të tillë, të njoftojnë menjëherë dhe në çdo moment Policinë e Shtetit:

Adresa e postës elektronike: CC@asp.gov.al

Numri i telefonit të lëvizshëm dhe rrjete komunikimi: 0694155552

 

Fraksion.com