AktualitetKosovaTë fundit

Ndryshe nga Bideni, BE-ja nuk kërkon njohje reciproke Kosovë-Serbi

Megjithëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i bëri thirrje Serbisë për njohje të ndërsjellë me Kosovën, Bashkimi Evropian beson se vetëm Prishtina dhe Beogradi mund ta arrijnë kompromisin e nevojshëm.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se qëllimi kryesor i dialogut është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ndërsa nuk ka përmendur njohjen reciproke, shkruan Gazeta Express.

Stano refuzoi ta komentojë drejtpërdrejt letrën që Biden ia dërgoi Vuçiqit, në të cilën ai theksoi se njohja e ndërsjellë është e vetmja mundësi e përmbylljes së dialogut.

“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ndihmon BE-në. Dialogu e çon Serbinë dhe Kosovën drejt të ardhmes evropiane. Në fund, Beogradi dhe Prishtina do ta gjejnë kompromisin e nevojshëm. Qëllimi përfundimtar i këtij dialogu është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Stano.

Të premten, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, vendosi t’ia shkruante një letër urimi presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit, me rastin e 15 shkurtit, ditës së shtetësisë së Serbisë. Kjo letër që mbërriti dje në Presidencën serbe, ndonëse kishte brenda urime të përzemërta të presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë, përmbante edhe një fjali, e cila ia prishi ditën kreut të Serbisë.

Në një mënyrë aspak të zakontë në diplomaci, me anë të një letre urimi, që ishte e para e tij si president, drejtuar Serbisë, Joe Biden i kërkoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Letra e plotë që Biden ia ka dërguar Vuçiqit, e përkthyer në shqip:

Shkëlqesisë së tij
Aleksandar Vuçiq,
President i Republikës së Serbisë
Beograd

I nderuar Z. President:

Në emër të popullit Amerikan, ju shpreh urimet e mia të përzemërta juve dhe bashkëqytetarëve tuaj ndërsa festoni ditën kombëtare të Serbisë më 15 Shkurt.

Ndërsa përkujtojmë 140 vjet partneritet midis dy vendeve tona, Shtetet e Bashkuara mbajnë angazhimin e tyre të qëndrueshëm për të promovuar bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin rajonal dhe vlerat demokratike. Në emër të popullit Amerikan, ju shpreh urimet e mia të përzemërta juve dhe qytetarëve tuaj ndërsa festoni ditën kombëtare të Serbisë më 15 Shkurt. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke. Fuqia e marrëdhënies sonë është e ndërtuar mbi një histori të thellë të lidhjeve njerëz me njerëz, duke luftuar si aleatë në të dy Luftërat Botërore dhe ne çmojmë kontributet e mëdha që serbët i kanë dhënë shoqërisë amerikane në shumë fusha. Ne gjithashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në luftimin e pandemisë COVID-19 ndërsa bashkërisht përballemi me këtë sfidë të paparë globale.

Unë pres që të punoj me ju për të thelluar lidhjet e miqësisë midis vendeve tona dhe për të forcuar marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ju uroj ju dhe popullit të Serbisë një festë të gëzueshme.

Sinqerisht,

Joseph R. Biden Jr.

 

Fraksion.com