AktualitetPolitikëTë fundit

Meta: Më 25 prill do të fitojë e ardhmja europiane e Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta tha sot nga Korça se “më 25 prill do të fitojë e ardhmja europiane e Shqipërisë”.

Në një prononcim për gazetarët, Meta tha se “duhet të tregohet vullnet nga partitë, por edhe nga qytetarët që të distancohen nga persona që nuk i përfaqësojnë”.

“Fakti që kemi bërë një ligj për dekriminalizimin, tregon qe ka qenë një problem serioz i politikës tonë, i pushteti vendor dhe i niveleve të tjera të qeverisjes. Kështu që është e domosdoshme që në 25 prill të tregohet një vullnet nga forcat politike dhe nga vetë qytetarët që të distancohen nga figura që nuk përfaqësojnë interesat e tyre dhe kanë ato probleme që janë të qartë në ligjin e dekriminalizimit. Partitë duhet të jenë në garë për figura me integritet”, tha Meta.

Ai shtoi se “25 prilli do të jetë një referendum më i rëndësishëm sesa ai i nëntorit 1994. Pas 30 vjetësh është vënë në diskutim e ardhmja europiane e Shqipërisë, një projekt që mbështetet nga 99% e qytetarëve shqiptarë dhe pas 30 vitesh jemi pas Serbisë dhe Malit të Zi, kur 15 vite më parë ishim shumë më përpara”, u shpreh Presidenti Meta.

“ Shqipëria s’ka pasur asnjë problem tjetër madhor përveç vendosjes së interesit kombëtar. Anëtarësimi në BE sa më parë. Më 25 prill shqiptarët do të votojnë kundër shpopullimit. Këtu përmasat janë katastrofike. Këtë e ndjejnë sipërmarrësit, prindërit që kanë mbetur të vetmuar dhe natyrisht që 25 prilli është votë kundër shpopullimit. Prandaj do votojmë që të rrimë këtu”, u shpreh ai.

Meta mori pjesë në seancën e radhës të dhurimit vullnetar të gjakut, të organizuar nga Myftinia e Korçës, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Ai i shprehu veçanërisht mirënjohjen Myftiut të Korçës, Ledian Cikalleshi dhe klerikëve të tjerë drejtues të Myftinisë për solidarizimin me këtë kauzë humane, veçanërisht në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe të sëmurëve kronikë, të cilët kanë nevojë të vazhdueshme për gjak.

Meta vuri në dukje se ky është veçanërisht një vit i vështirë, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe masave kufizuese, që kanë ndikuar për uljen në mënyrë drastike të numrit të dhuruesve.

“Mbështetja dhe ndihma për më të pamundurin, më të dobëtin, më të pafuqishmin janë pjesë e filozofisë dhe e edukimit të të gjitha besimeve tona fetare. Dhurimi i gjakut është një nga shembujt më të mirë, se si këto mësime, vihen konkretisht në zbatim në jetë, duke i shërbyer kështu komunitetit dhe të gjithë atyre që kanë nevojë”, – theksoi Meta.

 

Fraksion.com