E ardhmja e marrëdhënieve BE-Rusi, në pikëpyetje
Bashkimi Evropian mbrojti të hënën vizitën e diplomatit të lartë evropian në Rusi, që përkoi me njoftimin nga Moska të dëbimit të tre diplomatëve evropianë ndërsa zyrtari i BE-së ishte në takim me zyrtarët rusë.
Shefi i politikave të jashtme të B.E.-së, Josep Borrell, tha se ai e mësoi njoftimin për dëbimet nga rrjetet sociale, gjatë kohës që ishte në takim me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavror në Moskë ditën e premte.
Në një shkrim të publikuar të dielën, zoti Borell tha se Rusia nuk i morri parasysh kërkesat e tij për ndaljen e dëbimeve.
Ish shefi i mbrojtjes së Estonisë, Riho Terras, tani anëtar i parlamentit evropian, filloi një fushatë për dorëheqjen e zotit Borell.
Por Komisionit Evropian tha se nuk pendohet për vizitën e parë të zotit Borell në Moskë në cilësinë e koordinatorit të politikave të jashtme të Bashkimit Evropian, pasi Rusia ishte në një rrugë konfrontimi – që zoti Borell u mundua ta shmangte.
“Udhëtimi ishte i domosdoshëm. Njeriu nuk heq dorë nga një udhëtim pse ai duket i vështirë”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mamer në Bruksel. “Një udhëtim nuk është i suksesshëm, ose i dështuar, në bazë të asaj që ndodh në një moment të caktuar”, shtoi ai.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të hënën se zyrtarët rusë “nuk ishin nismëtarë të keqësimit të marrëdhënieve”.
Ai tha se dëbimi i diplomatëve nga Gjermania, Polonia dhe Suedia, u bë pasi Moska i akuzon ata për pjesëmarrje në protestat e muajit të shkuar kundër burgosjes së kritikut të Kremlinit Alexei Navaly, që ndodhi një ditë para vizitës së zotit Borell.
Disa shtete të B.E.-së shtuan thirrjet për më shumë sanskione kundër Moskës, thanë dy diplomatë.
Ata shtojnë se Polonia zhvilloi një video-konferencë me shtetet e B.E.-së të hënën ku u bashkuan edhe përfaqësues të Britanisë, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Ukrainës, si dhe aleatë të zotit Navalny.
“Ndarja” e Lindjes dhe Perëndimit
Gjatë vizitës së zotit Borell, ai dhe zoti Lavrov mbajtën një konferencë shtypi, gjatë të cilës Ministri i Jashtëm rus e cilësoi B.E.-në si “një partner jo të besueshëm”, ndërsa zyrtari i lartë i B.E.-së vlerësoi vaksinën ruse kundër COVID-19.
Josep Borell shkoi në Moskë për të kërkuar lirimin e opozitarit rus Alexei Navalny dhe për t’u përpjekur për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë. Por ai tha se konferenca për shtyp e së premtes ishte “organizuar në mënyrë agresive” dhe se udhëtimi ishte “shumë i ndërlikuar”.
Zoti Borell gjithashtu tha se dëbimet dhe refuzimi i kërkesës së tij për të vizituar zotin Navalny rritën bindjen e tij se “Evropa dhe Rusia po largohen nga njera tjetra”.
“Rusia po shkëputet në mënyrë të vazhdueshme nga Evropa dhe po i shikon vlerat demokratike si një kërcëniom ekzistencial”, shkroi zoti Borell. “U takon shteteve anëtare që të vendosin hapat e mëtejshëm dhe po, hapat mund të përfshijnë sanksione”, tha ai.
Moska është nën sanksione ekonomike nga Perëndimi, që kur aneksoi Krimenë nga Ukraina më 2014, por Rusia është një furnizues kryesor me energji, si dhe ndihmon Perëndimin në fusha të ndryshme si përkrahja e marrëveshjes bërthamore e vitit 2015 me Iranin dhe trajtimi i ndryshimeve klimatike.
Alexei Navalny u burgos më 2 shkurt pasi një gjykatë ruse konstatoi se ai kishte shkelur kushtet e një dënimi me kusht, një rast që sipas opozitarit Navalny është i fabrikuar dhe i motivuar politikisht. Krerët e B.E.-së do të diskutojnë rreth përgjigjes së tyre në samitin e marsit./voa
Fraksion.com