Do t’i marr kuksianët nga Londra dhe t’i ul përpara zgjedhjeve në aeroportin e Kukësit
Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë të Sarandës, këtë të dielë, është shprehur se një parti politike duhet të bëjë zgjedhjen më të mirë për vendin, pavarësisht se cilës ideologji i përket zgjidhja.
Duke iu përgjigjur një sipërmarrësi, Rama tha se problemi i Partisë Demokratike është mosreformimi i saj, për shkak se ndjekësit e saj nuk ia kanë bërë të qartë lidershipit të saj këtë gjë.
Rama shtoi se një parti politike, duhet të marrë në konsideratë zgjidhjen më të mirë për problemet e vendit, pavarësisht se mund të jenë ideologjikisht të djathta apo të majta. “Unë nuk kam qenë i djathtë, por jam antikomunist dhe antifashist, ky është dallimi. Dhe nuk e di tamam, sot në këtë kohë se ç’do të thotë që të kategorizohesh e të mbyllesh brenda një kategorie, kur kjo është koha për të gjetur zgjidhje”, – tha Rama.
“Partia Socialiste është një parti e ngritur dhe funksionon me energjinë e idealeve që i përkasin të majtës progresiste. Unë me PD kam patur vetëm një kontakt, ku nuk ka lindur shkëndija e dashurisë, por e dyshimit të madh, që ishte një pasuri e madhe, që kishte rënë menjëherë në dorën më të keqe të mundshme dhe këtë gjë e kam thënë që atëherë fatmirësisht. Kam qenë i pari jokomunist, jo i Partisë së Punës, por nga krahu i revolucionit, që Saliu është hataja e madhe e PD dhe do i kushtojë Shqipërisë dhe PD. Tani e thonë të gjithë, jo Luli, i cili e mendon, por nuk e thotë, se s’ka si e thotë, por të jeni të bindur për këtë, që do ta thotë në një moment të caktuar”, – shton Rama.
“Sot, unë them që një parti politike duhet të zgjedhë qasjen dhe zgjidhjen më të efektshme, pa u nisur nga fakti se kjo është e djathtë e ne nuk e bëjmë se jemi të majtë, jo. Ne duhet të qëndrojmë të drejtë, pavarësisht se çfarë krahu ka zgjidhja, duhet bërë, nëse është rruga më e drejtë. Por, në momentin që thotë partia jote se do ulë prodhimin e qumështit dhe do rrisë prodhimin e djathit, nëse ti e pranon këtë, se është partia jote, je idiot. Është si puna atij, që i shkruajti të dashurës se unë të dua ty, por të dua nëse ti do partinë… Dhe kjo i bie që unë e dua aq shumë partinë, sa e ha sapunin për djathë, nëse ti ha sapunin dhe thua e hëngra se është partia ime, këtu s’kemi si të komunikojmë. Këtu çështja është shumë e thjeshtë, bëhet një vlerësim dhe kaq”, – tha Rama.
“Të jemi realistë, si mund të dalësh e të thuash do të ul sigurimet shoqërore dhe do bëj rritjen më të madhe të pensioneve?! tallja më e madhe që mund të bëhet. Si mund të dalësh e të thuash që do çoj një laptop në çdo shtëpi?! Saliu thoshte ‘leptop’ në çdo dhomë. Edhe ti pse je i djathtë duhet t’i hash këto?! Unë e vlerësoj shumë atë që faktikisht tjetër është simpatia dhe bindjet, krejt normale, që njeriu dëshiron që në Shqipëri të jetë një alternativë e djathtë që bënë reforma të djathta, por për sa kohë s’e ke këtë alternativë, ke atë tjetrin, që fle edhe kur rri në këmbë, pse duhet t’i shkosh pas?! Kjo ka bërë, që të jemi të vërtetë deri në fund, që PD të mos reformohet, se ata që e kanë mbështetur nuk ia kanë dhënë mësimin, nuk i kanë thënë që unë me ty jam, por këtu nuk të ndjek se nuk ka kuptim. Ata që e mbështesin, duhet të thonë ty të mbështes, por nuk bëhet kështu, dhe unë s’vij pas berihait, që do ulë prodhimin e qumështit dhe do të rrisë atë të kosit e të ha sapunin për djathë”, – tha Rama.
I pyetur për aeroportin e Kukësit, Kryeministri uroi që varianti i ri i COVID-19 të mos bëhet pengesë për mbajtjen e premtimit, që të ulë përpara zgjedhjeve në aeroportin e Kukësit kuksianët që jetojnë në Londër.
“Uroj që ky variant i ri që ka dalë në Britaninë e Madhe të mos ma bëjë të pamundur mbajtjen e premtimit që t’i marr ata kuksianët që më kanë përqeshur dhe më kanë sharë nga Londra dhe t’i ul përpara zgjedhjeve në aeroportin e Kukësit, siç e kam thënë në mënyrë të përsëritur. Që avioni do ulet aty, kjo është e sigurt, por doja t’i merrja nga Londra e t’u thosha ikni e votoni të hani djathin këtu në fyt e pastaj do e shikoni se është sapun”, – tha Rama.
Fraksion.com