Detaje nga atentati në Vlorë, autorët zbrazën një karikator mbi 40-vjeçarin, çfarë panë dëshmitarët
Zbardhen detaje të reja nga ekzekutimi i 40-vjeçarit Gentian Qarri, mbrëmjen e kaluar në Vlorë.
Që prej orës 18 të mbrëmjes së kaluar, kur ndodhi ngjarja, e deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, policia e Vlorës ka marrë në pyetje rreth 15 persona, pjesa më e madhe dëshmitarë të rastit dhe banorë të lagjes.
Janë pyetur edhe familjarët apo të afërmit e viktimës. Për sa i përket dëshmitarëve, ata janë shprehur se kanë parë një automjet që vinte drejt viktimës, ku brenda tij dukeshin e pakta dy persona, të cilët sapo panë viktimën janë zhvendosur me shpejtësi drejt rij dhe kanë goditur me breshëri nga automjeti. Dëshmitarët nuk kanë mundur t’i njohin, pasi autorët kanë qenë të kamufluar dhe janë zhvendosur me shpejtësi drejt pyllit të sodës. Automjeti që u dogj te pylli i sodës me targa greke ishte i vjedhur në vendin fqinj, Greqinë.
Arma dyshohet e modelit mod54, ku në total mban 30 fishekë. Dyshohet se mbi viktimën është derdhur një karikator i plotë, deri sa ka përfunduar. Një pjesë e gëzhojave janë gjetur në vendngjarje, disa në automjetet e parkuara pranë, si dhe në trupin e viktimës. Ai ka marrë plumba në kraharor dhe këmbë, por nuk ka ardhur ende përgjigja e autopsisë për të konfirmuar shkaqet që i morën jetën. Për personat që e njihnin, ai nuk ka pasur konflikte në Shqipëri, njihet si person i qetë e pa probleme, teksa pista kryesore e hetimit mbetet dënimi i tij në Itali.
Dyshohet se autorët e kanë ditur rutinën e përditshme të tij dhe kanë pritur sa ka dalë nga shtëpia e më pas e kanë ekzekutuar. Burimet nga policia e Vlorës konfirmojnë se mund të jetë vëzhguar për disa ditë. Autorët e njohin mirë zonën, duke u larguar në drejtim të pyllit të sodës, ku më pas dogjën makinën. Aty dyshohet se atentatorët janë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar./BW
Fraksion.com