AktualitetBota+KosovaRajoniTë fundit

Biden inkurajon Vuçiqin për njohjen e Kosovës

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbesin të palëkundura në qëllimin për të mbështetur integrimin evropian të Serbisë, mirëpo ka kërkuar reforma dhe arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën e cila përfshin njohjen e ndërsjellë.

“Ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim përfshirë realizimin reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në një letër të cilën presidenti Biden i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë që shënohet me 15 shkurt.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, zhvillojnë bisedime që nga viti 2011. Dialogu është thënë se ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Serbia i quan bisedime teknike dhe refuzon të diskutohet për njohje derisa Kosova insiston që në një marrëveshje të mundshme të përfshihet edhe njohja e ndërsjellë.

Presidenti serb, Vuçiq dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti takimin e fundit e kanë pasur në korrik të vitit 2020. BE-ja, si ndërmjetësuese e këtij procesi, ka thënë se raunde të reja të bisedimeve nuk do të ketë, deri pasi në Kosovë të dalin institucionet e reja nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që janë caktuar të mbahen më 14 shkurt.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.

Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane./REL

 

Fraksion.com