AktualitetBota+Të fundit

Sondazhi: Amerikanët të ndarë për gjyqin ndaj ish-presidentit Trump

Një shumicë e amerikanëve thonë se ish-Presidenti Donald Trump është në një farë mase fajtor për sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar. Rreth gjysma thonë se Senati duhet të votojë për ta dënuar atë në gjyqin që pritet të fillojë së shpejti.

Kjo sipas një sondazhi të zhvilluar nga Associated Press dhe Qendra NORC e Studimeve të Çështjeve Publike. Sondazhi gjen gjithashtu se shumë republikanë vazhdojnë të besojnë – në kundërshtim me të gjitha provat – se zgjedhja e Presidentit Joe Biden ishte e paligjshme.

Këto përfundime janë një tjetër shenjë se fushata e gjatë dezinformuese e ish-Presidentit Trump mund të ketë pasoja afatgjata për Presidentin Biden ndërsa ai përpiqet të qeverisë një vend me ndarje të thella politike.

Sondazhi flet gjithashtu për një farë konsensusi, sepse shumë republikanë thonë se zoti Trump ishte të paktën pjesërisht përgjegjës për sulmin vdekjeprurës të mbështetësve të tij në Kapitol, në përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit.

Gati dy të tretat e amerikanëve besojnë se zoti Trump mban të paktën një farë përgjegjësie për sulmin ndaj Kapitolit. Gjysma thonë se mban mjaft përgjegjësi. Pak më shumë se një e treta thonë se ai nuk mban asnjë përgjegjësi.

Shumica e republikanëve nuk e ngarkojnë atë fare me faj, por rreth 3 në 10 prej tyre mendojnë se ai ka të paktën një lloj faji për ngjarjet.

Më pak amerikanë, 47%, besojnë se Senati duhet të votojë për ta shpallur fajtor zotin Trump në gjyqin që fillon javën e ardhshme. 40% të tjerë thonë se ai nuk duhet të shpallet fajtor, ndërsa 12% nuk janë të sigurt.

Muajin e kaluar, zoti Trump u bë presidenti i parë në historinë e vendit ndaj të cilit Dhoma e Përfaqësuesve ngre dy herë akuza për ta shkarkuar, por duket se nuk ka gjasa që demokratët të kenë vota të mjaftueshme për shpalljen e tij fajtor në Senat.

Opinionet mbi gjyqin janë të ndara sipas përkatësive partiake.

“Më duket qesharake. A do të fillojmë të vëmë nën akuzë të gjithë presidentët e kaluar që nuk na pëlqejnë?” thotë Bill Stokes, 67 vjeç, i cili jeton në Kasper të shtetit Uajoming. Ai votoi për zotin Trump në zgjedhjet e nëntorit, duke e përshkruar atë si “të keqen më të vogël”.

Zoti Stokes e pranon se “mbase” Trump mban disa përgjegjësi për ngjarjet e 6 janarit, por thotë: “Nuk mendoj se kjo justifikon ngritjen e akuzës për ta shpallur fajtor. Ndoshta një qortim, kjo po.”

“Në fakt nuk mendoj se ai i nxiti trazirat. Ai u kërkoi atyre të shkonin atje për një protestë paqësore. Ndoshta ai nuk e kuptonte psikologjinë e turmës, por mendoj se ata po përpiqen t’i vënë më tepër faj sesa ai ka në të vërtetë”, tha zoti Stokes.

Republikanë të tjerë që morën pjesë në sondazh fajësuan zotin Trump për nxitjen e turmës dhe disa thanë se ai duhet të mbahej përgjegjës në një farë mënyre, por se ngritja e akuzave dhe gjyqi në Senat nuk ishte përgjigjja e duhur, tani që ai ka lënë detyrën dhe që sipas tyre nuk ka gjasa të zgjidhet përsëri.

Në të njëjtën kohë, sondazhi tregon se shumë republikanë pajtohen me idenë, e mbështetur prej atyre që sulmuan Kapitolin, se zgjedhja e zotit Biden ishte e paligjshme. Në përgjithësi, 66% e amerikanëve thonë se Biden u zgjodh president në mënyrë legjitime, por 65% e republikanëve përgjigjen negativisht në këtë pikë.

Mes tyre është Dolores Mejia, 71 vjeçe, e cila jeton në Peoria të Arizonës. Ajo thotë se po të ishin numëruar të gjitha votat, zoti Trump do të kishte fituar. “Vërtet e besoj këtë,” thotë ajo.

Zonja Mejia ka qenë tërë jetën demokrate por e ndryshoi partinë për të votuar për zotin Trump në nëntor. Për të shpjeguar rezervat e saj, ajo përmend që nga teoritë e diskredituara të komplotit e deri te rrëfimet e miqve.

“Nuk më intereson se çfarë thonë demokratët. Ata vodhën zgjedhjet. Thjesht nuk ka asnjë mundësi, me mbështetjes që ne po shihnim, duke parë tubimet në TV, pra nuk ka asnjë mundësi që ata të mos i kenë vjedhur zgjedhjet,” tha ajo.

Të tjerët kishin mëdyshje. Mark Richardson, republikan i cili jeton në Haj Point të Karolinës së Veriut dhe që votoi dy herë për zotin Trump, tha se ai e kuptonte se pse u morën masa për të lejuar votimin me postë gjatë pandemisë, por argumenton se votimi me postë nuk duhet të praktikohet më.

Zyrtarët e Partisë Republikane në disa shtete që u fituan nga zoti Biden, duke përfshirë Arizonën dhe Xhorxhian, kanë thënë se zgjedhjet ishin të drejta. Pretendimet e zotit Trump u hodhën poshtë nga gjykatat, duke përfshirë edhe nga gjyqtarë të emëruar prej tij dhe prej ish-prokurorit të tij të përgjithshëm, William Barr.

Në përgjithësi, sondazhi tregon se amerikanët kanë një pikëpamje më shumë negative sesa pozitive për presidencën Trump dhe ndikimin e saj në vend dhe se kundërshtimet janë kryesisht mes republikanëve.

Sipas anketës, në përgjithësi vetëm 36% e amerikanëve thonë se zoti Trump ishte një president i shkëlqyer apo i mirë, ndërsa 50% thonë se ai ishte i dobët, madje mjaft i keq./VOA

 

Fraksion.com