AktualitetTë fundit

“Situata e COVID-19 e kontrolluar”; Rakacolli: Nëse zbatohen masat jemi të garantuar

“Situata e COVID-19 është e kontrolluar dhe nëse zbatohen masat nuk do të ketë nevojë për të marrë masa shtesë”, tha sot Mira Rakacolli, zv.ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njëkohësisht dhe kryetare e Komitetit Teknik të Shëndetësisë.

Në lidhje me numrin e lartë të të infektuarve sot dhe se cilat janë shkaqet e kësaj rritjeje Rakacolli tha se, “vlerësimet nuk mund të bëhen me bazë ditore, por bëhen në bazë javore. Prandaj vlerësimet i kemi thënë në ditën e parë të kësaj jave dhe jemi shprehur se përhapja ka patur një rritje dhe ajo që ka qenë llogaritur për javën ka qenë 209 për 100 mijë banorë dhe si ato të një jave më parë që ka qenë nën 200. Kjo ka të bëjë me moszbatimin si duhet të rekomandimeve që u dhanë për festat e fundvitit, ose ndoshta dhe të një relaksimi në zbatimin e masave, siç është distancimi social dhe vendosja e maskave. Ne e shohim përditë që dalim në rrugë dhe një pjesë e madhe e njerëzve e mbajnë maskën poshtë mjekrës. Por ka dhe shkaqe të tjera siç janë temperaturat e ulëta, fakti që njerëzit rrinë më shumë brenda në këto situata. Po mendohet se ka një kompleks shkaqesh të cilët kanë çuar në këtë rritje”.

Rakacolli shtoi se në fillim të javës u vlerësua që jemi para një momenti delikat, por që u vlerësua që është një situatë e kontrolluar dhe nëse zbatohen masat nuk do të ketë nevojë për të marrë masa shtesë.

Nëse do merren masa të reja Rakacolli tha se të gjitha këto vendime merren në bazë të numrave dhe të indikatorëve me të cilat monitorohet situata.

“Siç e kemi thënë përveç rasteve të reja ditore është shumë e rëndësishme numri i atyre që janë shtruar në spital, numri i atyre që kanë nevojë për kujdes intensiv dhe numri i atyre që fatkeqësisht humbin jetën. Pra në bazë të dinamikës sesi lëvizin këto tregues dhe në bazë të analizës së gjendjes në momentin që ne kemi treguesit, atëherë shikohen dhe masat që mund të merren”, tha ajo.

Në lidhje me kthimin e studentëve në auditore për provime Rakacolli tha se jemi duke punuar ngushtësisht me Ministrinë e Arsimit për të parë se si është situata dhe si e vlerësojnë universitetet, dhe patjetër vendimi do të jetë shumë shpejt.

Në lidhje me ekspertë e huaj që flasin për një uragan të COVID-19, Rakacolli tha se, “ne jemi të përgatitur për gjithçka, prandaj vazhdojmë ta themi në çdo prononcim që ne bëjmë ruajtjen dhe masat parandaluese, pasi masat janë ato që na mbrojnë ne, përveç vaksinës.  Po zbatuam masat, jemi të garantuar dhe nuk duhet të alarmohemi”.

Mbi planin për vaksinimin Rakacolli tha se, “e kemi thënë që në fillim, do vaksinohet personeli shëndetësor dhe paralelisht do vaksinohen personat mbi 75 vjeç dhe ato që janë me sëmundje bashkëshoqëruese. Në Shqipëri përveç vaksinës së ‘AstraZeneca’ është dhe vaksina e ‘Pfizer’, kështu do të bëhet një vaksinim i kombinuar sipas rekomandimeve që jep Komiteti”.

 

Fraksion.com