AktualitetPolitikëTë fundit

“Bomba me sahat”; Politika po rrezikon të na vrasë për votat

Shqipëria ka regjistruar sot ditën më të keqe sa i përket bilancit të COVID. Gjatë 24 orëve të fundit, në vendin tonë janë regjistruar 1089 raste të reja infeksionesh, shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë.

Situata paraqitet alarmante edhe me shtrimet në spitalet COVID, ku javët e fundit ka patur një rritje me 48 %.

Por siç duket votat dhe zgjedhjet, po “fitojnë” mbi pandeminë. Politika, e cila nga njëra anë flet për strategji për mposhtjen e covid, po shkel çdo ditë në mënyrë flagrante rregullat e Komitetit të Ekspertëve. Rasti më i fundit vjen nga Partia Demokratike. Edi Paloka ka mbledhur dhjetëra simpatizantë në një ambient të vogël dhe të mbyllur në Kukës, në një aktivitet politik që mund të rezultojë në një “bombë”.

“Sot prezantuam dhe drejtuesin politik të qarkut Kukes z. Flamur Hoxha , një tjetër përfaqsues i shtresës së të perndjekurve politike të diktatures. Në Kukës, Tropojë e Has, nuk diskutohet fitorja”, shkruan Paloka, ndërsa ka publikuar edhe disa foto nga aktiviteti.

Përveçse një shkelje flagrante e rregullave të COVID, edhe një qëndrim me dy standarde i PD, ku kryetari Basha nuk e heq kurrë maskën, ndërsa nënkryetari mbledh në takime politike dhjetëra persona, pa maska dhe pa zbatuar distancën sociale, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

'Bomba' me sahat e zgjedhjeve, si po rrezikon të na vrasë

Shkelje edhe nga Komiteti Teknik dhe deputetët

Por shkelja e rregullave ndaj COVID, edhe pse duket paradoksale, bëhet edhe nga vetë ekspertët e Komitetit, madje nga kryetarja. Pak ditë më parë, Mira Rakacolli u fotografua në një takim politik të PS me një grup qytetarësh.

Rakacolli, njëkohësisht dhe kryetare e Komitetit Teknik të pandemisë, ka qenë në një sallë ku po zhvillohej një takim i deputetit Ervin Bushati me mbështetes të PS-së në njësinë 1 në Tiranë.

Nga foto duket qartë se në sallë kanë qenë të grumbulluar mbi 10 persona, shkelje e masave shtrenguese të propozuara nga komiteti që drejton Rakacolli.

'Bomba' me sahat e zgjedhjeve, si po rrezikon të na vrasë

Shefja e ISHP, Silva Bino, duke folur për rastin, i bëri thirrje policisë të marrë masa dhe të gjobisë shkelësit.

Pak ditë më parë edhe Elisa Spiropali ka zhvilluar në Bathore një takim me banorët e zonës, në prani edhe të deputetit të opozitës parlamentare, Halit Valteri.

Në fotot e publikuara nga Valteri në rrjetet sociale, dy deputetët shihen në një lokal ku ndodhen mbi 60 persona, të qetë, me birra përpara.

'Bomba' me sahat e zgjedhjeve, si po rrezikon të na vrasë

Mos na vrisni për votat

Rritja alarmante e rasteve me COVID ditët e fundit është pasuar me zërat për një kufizim të ri të mundshëm të orarit të daljes. Gjatë një intervistë për mediat, kreu i  Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se mund të aplikohet mbyllja që në orën 18:00 ose 20: të mbrëmjes.

“Lock down është dhe orë policore. Mund të ulet ora. Mund të mbyllemi ne 18:00 ose 20:00, nëse rriten rastet. Mund të ndërhyhet. Këto janë zgjidhjet, ulja e orarit mbyllja e aktiviteteve dhe të ngelen ato esencialet, të domosdoshme”, deklaroi dje Brataj, ndërsa bënte thirrje për respektim të masave, edhe pse të parët që i shkelin janë vetë politikanët.

Vërtetë këto zgjedhje janë të paprecedenta, sepse e paprecendë është situata në të cilën ndodhemi prej 1 viti.

Por kurrsesi, marrja e votës, nuk mund të kthehet në rrezik për marrje të jetës./Gazeta Shqip

 

Fraksion.com