AktualitetPolitikëTë fundit

Basha prezanton programin për rininë: Do vendosim inovacionin në krye të përparësive, praktika të paguara prej 30 000 lekësh në muaj

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha prezantoi sot programin për rininë, ku theksoi se, “pas 8 vitesh të mbushura me premtime të pambajtura, unë sjell programin më të detajuar, më realist, më të zbatueshëm që kemi pasur ndonjëherë, programin që do të ndryshojë jetën për çdo shqiptar”.

Basha tha se, “problemi i kryeministrit në ikje, nuk janë idetë, por fakti se ai e ka dëshmuar tashmë se nuk i bëri dot realitet ato për 8 vite me radhë. Ai abuzoi me besimin e shqiptarëve dhe dikush që s’mban qoftë edhe një premtim të vetëm, e humb të drejtën për të vazhduar me të tjera mashtrime. Gjatë 8 viteve të fundit 3 në çdo 5 të rinj kanë qenë të papunë dhe gjatë pandemisë patëm dhe një tjetër rritje prej 20 % mes papunësisë të të rinjve”.

Basha u shpreh se, “rreth 1,6 milionë shqiptarë nuk jetojnë më në Shqipëri! Shumë prej tyre shkëlqejnë në botë. Pse të mos shkëlqejnë këtu, në vendin e tyre? Mbi 50 % e shqiptarëve të moshës 18-40 vjeç duan të largohen nga vendi. Kjo katastrofë është edhe më e madhe, kur pyet moshat 19 deri 27 vjeç, 74 % e tyre duan të emigrojnë. 94 % e shqiptarëve që studiojnë jashtë, nuk duan të kthehen më”.

Ai theksoi se, “do t’u japim më shumë hapësirë sipërmarrësve, punonjësve me anë të rritjen të pagës minimale, industrisë tonë të turizmit, të prodhimit dhe të shërbimeve duke krijuar plot mundësi të reja për të vizituar vendin tonë të mrekullueshëm”.

Duke u ndalur ne disa nga shtyllat kryesore të programit për rininë, Basha deklaroi se, “ne do të zgjidhim çështjen e papunësisë, do të ulim emigrimin e rinisë. Do të rrisim cilësinë e arsimit. Pasi t’u kemi dhënë më shumë mundësi të rinjve përmes sistemit arsimor, ata do të kenë më shumë besim dhe mundësi për të ardhmen e tyre këtu”.

“Angazhohem se të gjithë studentët shqiptarë, 9 në 10 prej tyre që vijnë nga familje me të ardhura nën 64.000 lekë të reja në muaj do të përfitojnë mbështetje të plotë përmes financimit 100 % të tarifave për bachelor dhe master. Pjesa tjetër, që vinë me të ardhura mbi 64.000 lekë të reja në muaj do të përfitojnë përgjysmimin e këtyre tarifave universitare. Ndërsa 5000 bursa të plota në vit do t’u ofrohen të gjithë të rinjve të cilët kanë pamundësi ekonomike për të ndjekur studimet e larta. Nuk do të ketë te rinj, nuk do të ketë bija dhe bij shqiptarësh që do të mbeten pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike të familjeve të tyre”, deklaroi ai.

Angazhohem ndaj studentëve, vijoi Basha, se do të kenë praktika të paguara prej 30 000 lekë në muaj për 12 muaj për 10.000 më të mirët prej tyre çdo vit.

“Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, do të krijojë 4 inkubatorë biznesi brenda 4 viteve, për të zhvilluar ide inovatore dhe për të promovuar sipërmarrjen e punësimin në vend. Skema financimi për çdo të ri nga zonat e largëta dhe të varfra të vendit që duan të nisin një sipërmarrje. Angazhohem që asetet e sekuestruara në bazë të ligjit antimafia, do të kalojnë në duart e të rinjve që ngrenë biznese me benefite sociale për shoqërinë. Angazhohem që ta bëj brezin e ri përparësi të qeverisjes sonë! Punë, arsim, mundësi, profesion. Rinia do të jetë e para”, u shpreh kreu i PD-së.

Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi tha se, “sot ne kemi në duar një program me të cilin Shqipëria fiton. Fiton së pari rininë, ndalon shpopullimin e vendit, frenon boshatisjen e rrugëve, lagjeve dhe shkollave tona nga të rinjtë. E pikërisht për ta ndryshuar këtë realitet, ne do ta shpërblejmë financiarisht mundin dhe punën e ekselentëve, me praktika të paguara për 10 mijë studentë”.

Këlliçi tha se, “pronat e sekuestruara nga antimafia, do t’i kalojnë sipërmarrjeve të karakterit social, atyre të inovacionit dhe mjedisit. Të rinjtë do të jenë përfituesit nr.1 të këtyre pronave dhe aseteve. Qeveria Basha do të fuqizojë financiarisht sipërmarrjet rinore. Vetëm kështu të rinjtë do të gjejnë para të zhvillojnë idetë e tyre novatore në vendin e tyre”.

“Qeveria Basha do të jetë dera e parë ku nesër të rinjtë do të trokasin. Më 25 prill kemi mundësinë e madhe të kemi një qeveri që na përfaqëson, që punon për interesin publik dhe për të rinjtë”, shtoi ai.

 

Fraksion.com