AktualitetBota+Të fundit

Pse Irani ka pritur një delegacion të lartë të talibanëve?

Irani ka mbrojtur pritjen e një delegacioni të talibanëve për një javë të plotë, me qëllim të asaj që analistët besojnë se synon rritjen e ndikimit dhe kultivimin e lidhjeve me qeverinë potenciale të Afganistanit në të ardhmen.

Delegacioni, i udhëhequr nga lideri politik i talibanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, është takuar me ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif dhe sekretarin e Këshillit Suprem për Siguri Kombëtare, Ali Shamkhani, në mesin e kritikave nga shumë persona, të cilët kanë përmendur mizoritë dhe abuzimet e talibanëve, sidomos më 1998, kur janë vrarë shtatë diplomatë iranianë dhe një gazetar në qytetin afgan Mazar-e Sharif.

Talibanët nuk kanë marrë përgjegjësinë për vrasjet, të cilat e patën çuar Iranin dhe grupin militant në prag të luftës, pasi Teherani pati angazhuar dhjetëra mijëra trupa ushtarake përgjatë kufirit që ka me Afganistanin.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, ka mbrojtur vizitën e talibanëve në një konferencë për media, ku ka theksuar se “talibanët janë pjesë e realitetit të sotëm të Afganistanit” dhe se qeveria në Kabul ka qenë e informuar për këtë takim. Ai ka shtuar se Teherani është ofruar që të ndërmjetësojë bisedimet për paqe në mes të grupit militant dhe Qeverisë afgane.

“Ka pasur bisedime për natyrën dhe aktivitetet e këtij grupi, ne nuk kemi harruar martirët tanë në Mazar-e Sharif”, ka thënë Khatibzadeh, duke shtuar se vizita ka qenë në linjë me negociatat e bllokuara në mes të talibanëve dhe Qeverisë afgane në Doha.

Kur është pyetur për vrasjet e zyrtarëve iranianë dhe raportuesit të IRNA-s në Mazar-e Sharif, zëdhënësi i talibanëve, Soheil Shahin, është cituar të ketë thënë sipas mediave iraniane se sulmi “ka ndodhur”, para se talibanët të arrinin në qytetin afgan.

Teherani ka përkrahur Aleancën Veriore kundër talibanëve në luftën civile në Afganistan dhe Irani është raportuar të ketë përkrahur Shtetet e Bashkuara me ushtri dhe inteligjencë për të ndihmuar në mposhtjen e talibanëve, teksa ka luajtur edhe rol konstruktiv në konferencën e Bonit më 2001, e cila ka krijuar Qeverinë e parë pas regjimit taliban në Afganistan.

Në vjetët e fundit, dy armiqtë e përbetuar kanë krijuar lidhje, ndërkohë që ka pasur raportime për vizita klandestine nga anëtarët talibanë në Iran dhe akuza, të hedhura poshtë nga Teherani, se kjo e fundit është duke armatosur grupin militant.

Në dy vjetët e fundit, Teherani ka shpërfaqur publikisht lidhjet me talibanët, ndonëse Shtetet e Bashkuara kanë qenë duke zhvilluar bisedime për paqe me grupin militant, të cilat kanë rezultuar me marrëveshje të nënshkruar në Doha në shkurt të vitit të kaluar.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se do ta rishikojë këtë marrëveshje.

Andrew Watkins, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar për Kriza, ka thënë se Irani, sikurse shtetet tjera fqinje, është duke mbrojtur bastet e vëna për të ardhmen e Afganistanit.

“Angazhimi zyrtar me talibanët, jo vetëm që është veprim i sigurt strategjik, marrë parasysh potencialin për tërheqje të trupave të SHBA-së dhe NATO-s nga Afganistani – duke u dhënë kështu momentum politik dhe ushtarak talibanëve, ndoshta edhe të (mjaftueshëm) për të rrëzuar Qeverinë afgane”, ka thënë Watkins për Radion Evropa e Lirë.

“Është potencialisht gjë e sigurt, meqë dy vjetët e fundit të angazhimit diplomatik të SHBA-së me talibanët, kanë ofruar mjaft arsye që secili shtet në rajon të bëjë të njëjtën gjë”, ka shtuar ai.

Shahram Akbarzadeh, profesor për Politika të Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore të Universitetin Deaking të Australisë, ka thënë se Irani është i vendosur që të konsiderohet si lojtar kyç.

“Irani është duke dërguar mesazh te Shtetet e Bashkuara, afganët dhe rajoni se ka ndikim dhe interes në të ardhmen e Afganistanit dhe duhet të shihet me seriozitet”.

“Është duke dhënë shenja te Shtetet e Bashkuara se mund të luajë rol konstruktiv në negociatat për paqe – në anën tjetër, udhëheqësia iraniane është duke thënë se nëse nuk shihet me seriozitet mund të dëmtojë procesin e paqes”, ka shtuar Akbarzadeh.

Amin Tarzi, drejtor i Studimeve për Lindje të Mesme në Universitetin Marine Corps në Vixhinia, ka thënë se pavarësisht gjakut të keq që ekziston mes tyre, Irani dhe talibanët kanë gjetur njëri-tjetrin në anën e njëjtë që dëshiron të shohë forcat perëndimore duke u larguar nga Afganistani.

Tarzi ka thënë edhe se në vjetët e fundit, strategjia e Iranit ka qenë e atillë për të ndihmuar në proceset paqësore, ndonëse në të njëjtën kohë ka forcuar lidhjet me talibanët.

“Është e mundshme që strategjia aktuale iraniane, që synon të sigurojë mbështetjen e tjerëve, dhe e cila është në kundërshtim me rivalët e së kaluarës, mund të ndikojë që talibanët, apo ndonjë segment brenda lëvizjes ta kthejë Iran në krah të zgjatur në Afganistan, pavarësisht nëse talibanët bëhen pjesë e Qeverisë afgane apo mbesin pjesë e armatosur e opozitës”, ka thënë Tarzi.

Teksa ka theksuar arsyetimin e Teheranit për qasjen ndaj talibanëve, Akbar Ganji, redaktor i të përditshmes, Javan, e cila është e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, ka thënë se “bërja e Afganistanit si vend të pasigurt për prezencën amerikane, duke përdorur talibanët” është gjë e rëndësishme për Iranin.

“Dëbimi i Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, ka qenë ëndërr e (Qasem Soleimanit, udhëheqësit të forcave elite të Gardës Revolucionare të Iranit, i cili është vrarë me dron amerikan më 2020), dhe nëse talibanët kompletojnë këtë detyrë të rëndësishme, siguria dhe interesat tona kombëtare janë të siguruara”, ka thënë ai në një koment të publikuar në Javan.

Ganji ka thënë se Irani mund të kundërshtojë disa synime të talibanëve, mirëpo ai ka shtuar se nëse angazhimi me talibanët do të “dobësojë grupin ekstremist Shteti Islamik (IS), do të garantojë sigurinë e shiitëve dhe të privojë amerikanët nga një gjumë i mirë, atëherë kjo gjë është e nevojshme”.

Ai ka sugjeruar se Teherani mund të ketë ardhur në përfundim se diplomatët iranianë janë vrarë “në koordinim me shërbimet e inteligjencës të një vendi të tretë”, të cilit nuk i ka vënë emër.

Një pretendim i tillë është bërë edhe nga ligjvënësi Fada Hossein Maleki, ish-ambasador në Afganistan, i cili për sulmet ndaj iranianëve në Afganistan më 1998, u ka vënë fajin “të huajve dhe shërbimeve të sigurisë të një vendi të tretë”.

Ai madje ka pretenduar se ka të dhëna për të dëshmuar një gjë të tillë./REL

 

Fraksion.com