AktualitetBota+Të fundit

Mianmari bllokon Facebook-un për hir të “stabilitetit”

Myanmar ka bllokuar hyrjen në Facebook, disa ditë pasi ushtria përmbysi qeverinë demokratike me një grusht shteti.

Zyrtarët thanë se platforma e mediave sociale – e cila për shumë në Mianmar është e vetmja qasje në internet – do të bllokohet për hir të “stabilitetit”.

Udhëheqësja e zgjedhur Aung San Suu Kyi u arrestua në grusht shteti dhe policia ka ngritur akuza kundër saj.

Sekretari i Përgjithshëm i KB António Guterres i ka kërkuar bashkësisë botërore të sigurohet që grushti i shtetit i së hënës në Mianmar të dështojë.

53 milion njerëz të Mianmarit përdorin Facebook, ku ngarkohen  fotografi ose video falas dhe për shumëkë eshte sinonim i internetit.

Gjatë ditëve të kaluara, aktivistët kishin ngritur një faqe në Facebook për të bashkërenduar kundërshtimin e grushtit të shtetit.

Ministria e Komunikimeve dhe Informacionit tha se platforma e mediave sociale do të bllokohet deri në 7 Shkurt.

Në mesin e platformave të bllokuara në këtë shtet, që njihet edhe si Mianmar, janë Facebook, WhatsApp dhe Instagram.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të rikthejnë lidhjet, në mënyrë që njerëzit në Mianmar të mund të komunikojnë me familjen dhe miqtë dhe t’i qasen informacionit të rëndësishëm”, ka thënë zëdhënësi i Facebook-ut, Andy Stone.

Njerëzit në Burma kanë përdorur tejet shumë Facebook-un, prej kur ushtria ka fituar kontrollin më 1 shkurt.

Para se të bllokohej qasja, ata e kanë shfrytëzuar këtë platformë për të kundërshtuar veprimet e ushtrisë.

“Aktualisht njerëzit që janë të shqetësuar për stabilitetin e shtetit… janë duke përhapur lajme të rreme dhe dezinformata, duke shkaktuar keqinformim te njerëzit që përdorin Facebook-un”, është cituar të ketë thënë kjo ministri sipas agjencisë së lajmeve, Reuters.

Ndalimi i Suu, Kyi, fituese e Çmimit Nobel për Paqe më 1991, ka nxitur thirrje për lirim nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet perëndimore.

Ushtria e ka akuzuar qeverinë e saj se nuk ka hetuar supozimet për mashtrime me vota në zgjedhjet e 8 nëntorit, në të cilat partia e Suu Kyis ka fituar 80 për qind të votave, sipas Komisonit Zgjedhor.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se puçi “është i papranueshëm” pas zgjedhjeve, që sipas tij “janë mbajtur normalisht”.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mobilizuar aktorët kyçë dhe komunitetin ndërkombëtar, për të bërë mjaftueshëm presion te Mianmari dhe për t’u siguruar që ky puç të dështojë”, ka thënë Guterres në një intervistë për Washington Post.

 

Fraksion.com