Gjuetia e paligjshme e koranit: Arrestohen kryetari dhe dy punonjës të Shoqatës së Peshkimit në Pogradec
Kryetari dhe dy punonjës të Shoqatës së Peshkimit në Pogradec kanë rënë në prangat e policisë pasi kanë lejuar e ndikuar në peshkimin e paligjshëm të koranit.
Adriatik Dokollari, Kryetari i Shoqatës, bashkë me Mariel Durollari e Endri Pera kanë shpërdoruar detyrën, dhe në banesat e tyre janë gjetur një sasi peshku korani si dhe lekë.
Ata detyronin peshkatarët të kryenin gjueti korani, më pas e tregtonin në lokalet e Pogradecit për përfitime personale.
Pogradec
Finalizohet operacioni policor i koduar “Korani”.
Operacioni pas një pune hetimore nga Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, për goditjen e aktivitetit kriminal të peshkimit të paligjshëm.
Shpërdoruan detyrën me qëllim përfitimin personal, duke detyruar peshkatarët të kryenin peshkim të paligjshëm të peshkut koran, ndalohen kryetari dhe dy punonjës të Shoqatës së Peshkimit në Pogradec.
Sekuestrohet një sasi peshku i llojit koran dhe një sasi lekësh.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e veprave penale kundër lirisë së personit, kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga vetë punonjësit shtetërorë dhe veprave penale kundër mjedisit, pas një pune hetimore finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Korani”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve:
A. D., 49 vjeç, banues në Hudënisht, Pogradec (me detyrë kryetar i Shoqatës së Peshkimit Pogradec);
M. D., 47 vjeç, banues në Hudënisht (me detyrë punonjës në këtë shoqatë);
E. P., 43 vjeç, banues në Memëlisht, Pogradec (me detyrë punonjës në këtë shoqatë).
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka urdhëruar ndalimin e këtyre tre shtetasve, në bazë të vendimeve të Gjykatës e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi nga hetimet e kryera rezultoi se në bashkëpunim mes tyre ata kanë shpërdoruar detyrën, duke detyruar peshkatarët në Pogradec që të kryenin peshkim të paligjshëm të peshkut koran dhe më pas këtë sasi e tregtonin në lokalet e qytetit të Pogradecit, për të siguruar përfitime personale.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre u gjetën një sasi peshku e llojit koran dhe një sasi lekësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Tregtimi i specieve të mbrojtura të faunës dhe florës së egër” kryer në bashkëpunim.