Fatos Nano: Berisha u mor personalisht me burgosjen time, në 21 Janar pushoi së qeni politikan
Në vitin 1993, Fatos Nano në cilësinë e kryetarit të opozitës në atë kohë nën drejtimin e PS, u arrestua për akuzat e korrupsionit. Ende sot e kësaj dite, Nano fajëson Sali Berishën për burgosjen e tij.
Në një intervistë të rrallë për emisionin Opinion në Tv Klan, Nano ka akuzuar direkt Berishën duke thënë se është marrë personalisht me burgosjen e tij.
Fatos Nano e konsideron Sali Berishën në fillimet e tij si një intelektual kur hyri në politikë, e që më pas u bë politikan, ose siç e konsideron ai “kafshë politike”.
Duke komentuar ngjarjen e 21 Janarit 2011 në bulevardin Dëshmorët e Kombit, Fatos Nano thotë se pas këtij momenti, Sali Berisha pushoi së qeni edhe politikan.
Blendi Fevziu: Raporti juaj ka pasur shumë ulje-ngritje. Keni qenë përplasur shumë, por njëkohësisht edhe keni bashkëpunuar. Si do ta përkufizonit sot, jashtë këtyre impresioneve ose ndjesive personale, si politikan Sali Berishën?
Fatos Nano: Do përpiqem të jem i drejtë dhe i sinqertë. Sali Berisha hyri në politikë si intelektual. Pra, intelektual humanist, mjek kardiolog. Në momentin që mori drejtimin e PD, ai u bë politikan. E them këtë gjë sepse intelektuali dhe politikani me kalimin e kohës i lënë vendin njëri-tjetrit. Janë të rralla rastet kur politikani mbetet aq intelektual sa duhet. Më pas ai ka mbikëqyrur që nga idea e parë që hodhi vetë deri në realizim, deri në atëherë kur ra shteti në ’97, burgosjen dhe mbajtjen time në burg. Është marrë ‘in persona’ me këtë gjë.
Blendi Fevziu: Berisha thotë që nuk jam marrë unë me këtë gjë.
Fatos Nano: Berisha thotë shumë gjëra për shumë gjëra, përfshirë dhe 21 Janarin, por unë kam të dhënat e kohës, të dhëna nga njerëzit që kanë qenë dëshmitar në zyrën e tij kur ai është marrë ‘in persona’ me mbajtjen time në burg. Dhe me burgosjen e liderit të opozitës, ai u kthye në kafshë politike. Politikanët janë kafshë politike. Dhe kur marrin vendime të tilla nuk mund të mos u thuash kafshë politike. Në 21 Janar, ai mbikëqyri, drejtoi dhe u përpoq të mbulonte vrasjen e 4 njerëzve të pafajshëm përballë një proteste masive popullore. Janë të njohura nga shumë njerëz faktet për këtë gjë dhe veçanërisht sjellja e Berishës përballë fakteve. Dhe unë jam i detyruar të them që në 21 Janar 2011, Sali Berisha pushoi së qeni politikan dhe mbeti pjesa tjetër…. që po e dëshmon tani me qytetarin dixhital. /tvklan.al
Fraksion.com