“M’u bë krahu shoshë”; Kardiologu i Enver Hoxhës zbulon prapaskenat: Ku gabuan mjekët me diabetin e diktatorit!
Duke studiuar dosjen mjekësore të udhëheqësit komunist Enver Hoxha, mjeku Ahmet Kamberi, i cili sapo ishte bërë pjesë e Ekipit të Mjekëve të Enver Hoxhës, evidenton se ka pasur problematika në trajtimin edhe të diabetit të tij. Në librin e tij “Pacienti ynë i veçantë”, profesor Kamberi u referohet edhe pasazheve të veçanta nga libri i bashkëshortes së Hoxhës, Nexhmije Hoxha, e cila shkruan se Enveri ishte “bombarduar” me injeksione insuline për të mbajtur të stabilizuar nivelin e sheqerit ne gjak.
Referuar dhe përvojës së marrë në Stokholm, gjatë specializimit të tij për diabetin, profesor Kamberi shprehet se mjekimi më i mirë për pacientin sa i takon diabetit, është ulja e peshës trupore dhe më pas marrja e barnave. Ndërsa injeksionet për insulinën, profesor Kamberi i rekomandon vetëm në raste të veçanta.
AHMET KAMBERI
DIABETI Diabeti ishte problemi tjetër madhor i tij. Diabeti qe zbuluar që në vitin 1948, kur ai ishte obez. Ishte një diabet i tipit 2. Qëkur ishte zbuluar sëmundja, ai ishte vënë në një regjim ushqimor me kufizim kalorish: dy mijë e pesëqind kalori, 1400 prej të cilave nga karbohidratet. Ndonëse kishte rënë relativisht kënaqshëm në peshë, diabeti i tij nuk ishte zotëruar. Prandaj, ishte vazhduar mjekimi me insulinë për ekuilibrimin e tij, megjithëse në vitin 1960 ekzistonin barnat antidiabetikë që merreshin nga goja. Në vitin 1968 ishte bërë një përpjekje për ta kaluar në diabinezë (bar kundër diabetit nga goja), por kjo kishte dështuar, sepse ai nuk e kishte toleruar mirë atë. Nexhmija e tregon në këtë mënyrë mjekimin e diabetit aso kohe:
“Enveri kishte një stomak të mirë, nuk kishte asnjë shqetësim me tretjet. Në dy dhjetëvjeçarët e parë ai hante ç’t’i jepje, veç duke respektuar kaloritë që i ishin caktuar. Meqë tabletat për diabetin, si diabineza etj., ia rëndonin disi stomakun, nuk i donte, preferonte insulinën me injeksione, që në faza të ndryshme e bënte dy-tri herë në ditë, megjithëse disa herë edhe ankohej: ‘M’u bënë shoshë krahët…’. Gjatë gjithë atyre viteve ai kishte bërë më shumë se 20 mijë injeksione. Në sajë të ndjekjes me kujdes të kalorive ditore që merrte, të insulinës së llogaritur në bazë të analizave të rregullta dhe të disiplinës nga ana e tij, Enveri kishte një diabet të ekuilibruar, në mëngjes esëll, pothuaj 130. Glicemia ngrihej edhe nga ngarkesat dhe emocionet e punës, sepse kur ai pushonte, larg preokupacioneve, siç ndodhte, për shembull, gjatë pushimeve në Çekosllovaki, diabeti normalizohej krejt dhe ia hiqnim insulinën disa ditë a ndonjë javë”.
Ndjekja me kujdes e “kalorive që merrte”, e “insulinës së llogaritur në bazë të analizave të rregullta dhe të disiplinës nga ana e tij”, nuk janë të mjaftueshme për të vendosur për ndërprerjen e herëpashershme të insulinës “disa ditë a ndonjë javë”, ose për marrjen e saj “herë 2 e herë 3 herë në ditë” te një i sëmurë me diabet të tipit 2. Kjo nuk mund të quhej përshtatje e dozimit të insulinës me sasinë e kalorive të marra nga karbohidratet dhe/ose aktivitetin fizik.
Te të sëmurët me diabet të tipit 2 dhe mbipeshë, mjaft herë diabeti mund të bëhet i paqenë, ose të mbahet në nivele të ulëta hiperglicemie, që nuk kërkon medoemos mjekim me barna, thjesht me korrigjimin e peshës së trupit, me raportin e përshtatshëm të marrjes së kalorive të përgjithshme me ato të marra nga karbohidratet me përthithje të ngadaltë, me ndalimin e karbohidrateve me përthithje të shpejtë (sheqeri i bardhë), si edhe me aktivitetin e rregullt fizik. Kur zotërimi i diabetit nuk mund të arrihet me këtë mënyrë, atëherë lind nevoja e ekuilibrimit të tij me anë të përdorimit të barnave kundër diabetit nga goja. Insulina ka, megjithatë, vendin e vet në rast gjendjesh stresuese, si infeksionet akute, ndërhyrjet kirurgjikale, infarkti i miokardit, insultet (goditjet) e trurit etj. Ajo ka gjithashtu vend në pacientë obezë ose me mbipeshë me diabet tip 2 dhe probleme të tjera shëndetësore. Këtu përfshihen ata që nuk kanë vullnet të mjaftueshëm që t’i përmbahen regjimit për korrigjimin e peshës së trupit dhe vështirësisë për t’u frenuar nga marrja e karbohidrateve me përthithje të shpejtë.
Natyrisht, te një pacient me diabet tip 2, pas më shumë se 20 vjetësh, është krejt e natyrshme të presësh ndërlikime mikroangiopatike (dëmtim të enëve të imëta të gjakut që ushqejnë nervat periferikë, retinën e syrit dhe veshkat), si edhe favorizimin e ndërlikimeve makroangiopatike (të arterieve të mëdha, në mënyrë të përzgjedhur, të atyre të zemrës). Kur isha për specializim për kujdesin koronar në Stokholm, m’u dha rasti të merresha edhe me trajtimin e diabetit.
Shumë të sëmurë që shtroheshin me infarkt akut në spitalin ku unë punoja, kishin edhe diabet. Në spitalin tonë ishte edhe klinika ditore e diabetit. Të sëmurët vinin aty gjatë ditës dhe u mësohej se si të kujdeseshin për mjekimin e tyre: u mësohej në mënyrë praktike se si të ushqeheshin, si të përdornin barnat kundër diabetit. Atyre që mjekoheshin me insulinë u mësohej se si të dozonin insulinën dhe si të shmangnin hipogliceminë. Në mbrëmje ata shkonin në shtëpi dhe ktheheshin gjatë ditës së nesërme. Kjo vazhdonte derisa ata të kishin përvetësuar mësimet.
Njëkohësisht në klinikë shtroheshin edhe të sëmurët me diabet të pazotëruar, derisa të arrihej zotërimi ose ekuilibrimi i diabetit të tyre. Shefi i kësaj klinike ishte edhe konsulent i klinikës sonë. Unë isha miqësuar me të dhe shkoja shpesh në klinikën e tij, sidomos kur shtroheshin aty pacientët e mi. Kjo më kishte detyruar të thellohesha në studimin e diabetit, krahas studimeve që i përkisnin fushës sime. Literatura nuk më mungonte. Në sektorin e zyrave, ku unë ndaja njërën me dy kolegë suedezë, ishte edhe biblioteka e pasur e klinikës, të cilën ne e kishim në dispozicion dhe unë qëndroja aty deri në orën 7 të mbrëmjes.
Para se të largohesha, unë bëra edhe një takim shumë të gjatë me shefin e klinikës së diabetit, meqenëse isha i interesuar më shumë për ndjekjen e pacientëve ambulatorë dhe u njoha me mënyrën e ndjekjes së tyre. Prandaj unë fillova të mendoja se për të parandaluar ndërlikimet e diabetit, mund të ishte bërë më shumë për ta bindur Enverin të pakësonte peshën e trupit deri në masën që mjekimi me barna mund të bëhej i panevojshëm, ose të mbahej me barna që merren nga goja. Në gjendjen që ishte pas shërimit të infarktit, kur ai po kryente një aktivitet normal, unë mendova se mund të bëheshin përpjekje për ta shkëputur nga insulina dhe për të shkuar drejt ekuilibrimit të diabetit me regjim ushqimor, ulje të mëtejshme të peshës së trupit dhe me një aktivitet fizik të pranueshëm. Këtë ide mendoja se mund ta diskutoja në Ekip, kur të ishte rasti./panorama
Fraksion.com