AktualitetBota+Të fundit

Erdogani i quan terroristë studentët që po protestojnë, paralajmëron shtypje

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të mërkurën se qeveria e tij nuk do të lejojë që protestat që nisën para një muaji në një universitet turk të shndërrohen në protesta anti-qeveritare, të ngjashme me ato të vitit 2013, duke i quajtur terroristë protestuesit.

Në kundërshtim me vendimin e qeverisë për t’i ndaluar demonstratat, studentët dhe profesorët në Universitetin Bogazici të Stambollit kanë protestuar kundër vendimit të Erdoganit për ta bërë rektor profesorin Melih Bulu, i cili dikur ka qenë kandidat politik.

Ata thonë se procesi ka qenë jodemokratik dhe duan që rektori të japë dorëheqje, duke shkaktuar debat të gjerë dhe protesta në qytete tjera. Mbi 250 persona u arrestuan në Stamboll këtë javë dhe 69 të tjerë në Ankara, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Ky vend nuk do të drejtohet nga terroristët. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta parandaluar këtë”, tha presidenti turk para anëtarëve të partisë në pushtet, AKP, e cila gjithashtu udhëhiqet prej tij. Sipas tij, protestuesve të rinj u mungojnë vlerat kombëtare dhe shpirtërore dhe janë pjesëtarë të grupeve terroriste.

A jeni ju studentë apo terroristë që po përpiqeni ta bastisni dhomën e rektorit. Ky vend nuk do ta jetojë edhe një herë një ngjarje të Gezit në Taksim, nuk do ta lejojë atë. Ne s’kemi qëndruar me terroristët dhe nuk do të qëndrojmë”, shtoi ai.

Megjithatë, trysnia ndaj rektorit të ri për të dhënë dorëheqje ka filluar. Udhëheqësi i partisë kryesore opozitare, Kemal Kilicdaroglu, ka bërë thirrje për dorëheqjen e rektorit. Kryetari i Ankarasë, Mansur Yavas, përmes një letre i bëri thirrje rektorit Bulu që ta sakrifikojë postin e tij në vend të paqes akademike, rinisë dhe të ardhmes së turqve.

Bulu në të kaluarën ka qenë kandidat i partisë në pushtet për deputet. Ai raportohet të ketë thënë se nuk e ka ndër mend që të japë dorëheqje dhe se kjo krizë do të përfundojë brenda gjashtë muajve./express

 

Fraksion.com