SHBA, për të tretën javë me radhë më pak raste të reja me COVID
Rastet e reja me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara ranë për të tretën javë me radhë, hera e parë që vërehet një rënie kaq e zgjatur që nga shtatori i kaluar, edhe pse çdo javë infektohen mëse një milion njerëz.
Rastet e reja në shtatë ditëshin që u mbyll më 31 janar ranë 9% krahasuar me javën e kaluar, ose në 1,1 milionë. Vetëm katër nga të 50 shtetet raportuan rritje: Luiziana, Uashingtoni, Pensilvania dhe Montana, sipas një analize të agjencisë së lajmeve Reuters.
Vdekjet nga virusi u rritën me 5% javën e kaluar ose 22,751, një mesatare prej 3,250 njerëz në ditë. Janari ishte muaji me më shumë vdekje nga pandemia deri tani në SHBA, me gati 96,000 jetë të humbura.
Vdekjet janë një tregues që pasqyrohet me vonesë, pra ato mund të rriten disa javë pas rënies së rasteve dhe rënies së shtrimeve në spital.
Gjithsej, në SHBA rreth 442,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi, ose një në çdo 740 banorë.
Fraksion.com