AktualitetOp-EdTë fundit

Joe Biden e ka një problem me Evropën

Nga Tom Mctague

Joe Biden, e ka nisur presidencën e tij me një listë sfidash të mëdha të politikës së jashtme, ashtu si gati çdo paraardhës i tij. Pas 4 viteve të presidencës Trump, administrata e re duhet të kapërcejë skepticizmin në lidhje me aftësinë e Amerikës për t’u përballur me testet e mëdha me të cilat përballet sot bota, përfshirë ngritjen e Kinës si superfuqi e shekullit XXI, përhapjen e armëve bërthamore dhe katastrofën e gatuar nga vetë njeriu:ndryshimin e klimës.

Kësaj liste mund t’i shtohet një çështje e re: riparimi i aleancës transatlantike. Muajin e kaluar, dhe vetëm pak javë marrjes së detyrës nga Biden, Bashkimi Evropian dhe Kina nënshkruan një marrëveshje të re ekonomike. Kushtet aktuale të Marrëveshjes së Investimeve BE-Kinë, mbeten të paqarta.

Teksti është ende për t’u finalizuar, por përshkrimi mbi të është mjaft i thjeshtë:pakti garanton një marrëdhënie më të thellë tregtare mes 2 palëve, bazuar në standarde të përbashkëta. Sipas Brukselit, marrëveshja e lidh Pekinin me një “marrëdhënie të re investimesh të bazuara në disa vlera”, çka nënkupton mbrojtjen e standardeve të punës dhe mjedisit, si dhe për ta ndihmuar Pekinin të respektojë rendin global të bazuar në rregulla.

Pra kjo është Evropa që po përmbush rolin global, që i ka caktuar vetes si një “superfuqi rregullatore”, duke eksportuar dhe mbrojtur vlerat e saj përmes madhësisë së saj ekonomike.

Por marrëveshja nuk shihet në këtë mënyrë nga Uashingtoni.

Brukseli e nënshkroi marrëveshjen, pavarësisht nga një lutje shumë publike nga administrata e re amerikane për të pritur disa muaj. Por mesa duket 4 vite përplasje me Donald Trumpin, duket se i kishin bindur evropianët, të ishin më në favor të shfaqjes së theksuar të “autonomisë strategjike”.

Autonomi nga kush, mund të pyesni më të drejtë? Nga Shtetet e Bashkuara, është përgjigjja e vetme. Refuzimi i Evropës për të pritur transferimin e pushtetit në Uashington, është një tregues i shkallës në të cilën ka ndryshuar bota që kur Biden ishte për herë të fundit në qeverinë amerikane.

Evropa e sotme, nuk është e përgatitur të “konsultohet” me SHBA-në, përpara se sa të nënshkruajë një marrëveshje të një rëndësie të tillë, siç e kërkoi edhe këshilltari i sigurisë kombëtare të Biden, Jake Sullivan.

Vetëm pse SHBA-ja po mbron Evropën, kjo nuk do të thotë se ekziston një lloj doktrine “bindjeje brezhnjeviane” e ndërvarësisë, argumenton BE-ja. Pra në një lloj kuptimi, problemi i Biden-it për Evropën është i qartë:Kontinenti, për të cilën Shtetet e Bashkuara hynë në 2 luftëra botërore për ta çliruar, paguar rindërtimin, dhe për të cilin ka shpenzuar 75 vjet duke e mbrojtur me një kosto të madhe, të pabarabartë dhe të vazhdueshme, po lidh tani marrëveshje pas shpinës së saj me rivalin kryesor strategjik.

Gjithsesi, kjo marrëveshje me Kinën maskon një problem krejt më të thellë për Biden:jo forcën por dobësinë evropiane. Për shumicën e viteve të kaluara – dhe veçanërisht javët e fundit – ajo që e ka përndjekur Perëndimin është çështja e rënies së Amerikës.

Argumentohej se Evropa kishte problemet e saj, por ajo nuk po shfaqte asnjë nga simptomat e rënda të shfaqura në fillim të këtij muaji me sulmin mbi Capitol Hill. Në vitin 2007, pas viteve të një rritje ekonomike solide, ekonomia e BE-së ishte pak më e madhe se sa ajo e SHBA, dhe të dyja ishin më të mëdha se sa ajo e Kinës.

Deri në vitin 2019, ekonomia amerikane ishte rritur me rreth 50 për qind, ndërsa ecuria e BE-së në thelb ishte ekuilibruar. Ndërkohë, Kina kishte pushtuar gjithçka, përveç BE-së. George Magnus, ekonomist në Universitetin e Oksfordit, më tha se prirja gjatë dekadës së kaluar ishte i mëse e qartë:ringjallje e ekonomisë amerikane, dhe ngecje e asaj evropiane.

Që nga viti 2010, pjesa e SHBA-së në ekonominë globale jo vetëm është ruajtur, por është rritur, nga 23 në 25 për qind. Ajo e Evropës është tkurrur nga 21.5 në 17.5 për qind, madje duke përfshirë edhe Britaninë.

Pra rezulton se në rënie relative është Evropa dhe jo Amerika. Diplomatët evropianë janë të shqetësuar, se kontinenti – përfshirë Britaninë – nuk ka bazën industriale ose teknologjike për të rivalizuar SHBA-në apo Kinën. Nga 50 kompanitë më të mira në botë, vetëm 3 e kanë selinë në BE, dhe vetëm një nga ato është e përfshirë në teknologjinë e informacionit.

Ndërkohë, SHBA-ja ka 34 kompani të mëdha, 10 prej të cilave janë të fokusuara tek teknologjia e informacionit. Me largimin e Britanisë, BE-ja ka vetëm 1 nga 50 universitet më të mira në botë, dhe e ka humbur qendrën financiare globale të kontinentit, Londrën. Edhe motori ekonomik i rajonit, Gjermania, ka shumë pikëpyetje.

Për shembull Tesla, vlen aktualisht më shumë se të gjithë prodhuesit kryesorë gjermanë të makinave. Për më tepër, ndonëse ka treguar unitet të admirueshëm politik mbi Brexit, BE mbetet ende një konfederatë politikisht e dobët shtetesh, që ka ekonomi dhe interesa jashtëzakonisht të ndryshme, duke pasur ndërkohë nivele më të larta të pabarazisë ekonomike edhe sesa SHBA-ja.

Dikur Henry Kissinger e përshkroi Gjermaninë e sapo-bashkuar si “shumë të madhe për Evropën, por shumë të vogël për botën”. Në disa kuptime, e njëjta gjë tani mund të jetë e vërtetë për BE-në. Joe Biden uhet të marrë në konsideratë 2 llogaritje strategjike, dhe që të dyja ato janë problematike.

E para është se forca lëvizëse e kësaj marrëveshje ishte Angela Merkel. Sipas analistëve me të cilët bisedova në Berlin dhe Uashington, kancelarja gjermane – dhe Gjermania në përgjithësi – nuk dëshiron që të zgjedhë anë në një konflikt midis SHBA dhe Kinës.

Berlini e hedh poshtë idenë e krijimi të një grupimi demokracish, për ta frenuar rritjen e Kinës. Ajo nuk dëshiron një aleancë transatlantike mbi këtë çështje. Dhe duke arritur një marrëveshje me Pekinin, Merkel shpreson që ta shmangë këtë kurth.

Sfida e dytë për Biden, është se marrëveshja BE-Kinën zbulon joshjen që ka Gjermania ndaj obsesionit francez për autonominë strategjike ndaj Shteteve të Bashkuara. Rreziku këtu është se Evropa mund të përpiqet të arrijë vërtet pavarësinë ekonomike duke u afruar më tej me Kinën, ndërsa nga ana tjetër mund të rreshtohet me SHBA për të adresuar sfidën strategjike të rritjes ekonomike të Kinës.

Evropa mund të dëshirojë të detyrohet të zgjedhë midis SHBA dhe Kinës, por mund të mos jetë në gjendje që ta shmangë këtë gjë. Ndërkohë për Biden:administrata e tij do të angazhohet dhe do të përpiqet të rindërtojë marrëdhëniet transatlantike. Por në planin afatgjatë, sfida më e madhe mund të jetë jo pavarësia por dobësia evropiane./The Atlantic

 

Fraksion.com