Emërimi i Prokurores Ndërlidhëse në EUROJUST; Gjonaj: Kapitull i ri për bashkëpunimin ndërgjyqësor me Shqipërinë
Emërimi i Prokurores ndërlidhëse në EUROJUST, Fatjona Memçaj, çel një kapitull të ri për bashkëpunimin ndërgjyqësor mes Shqipërinë dhe EUROJUST.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka zhvilluar këtë të hënë në mëngjes një takim onlin me Presidentin e EUROJUST Ladislav Hamran, Lukas Stary dhe Prokuroren Ndërlidhëse Fatjona Memçaj, e cila do të përfaqësoj Shqipërinë pranë EUROJUST.
Sipas njoftimit të publikuar nga Ministria e Drejtësisë, Ministrja Gjonaj ka shprehur mbështetjen e plotë për Prokuroren e re Ndërlidhëse në kryerjen e detyrës së saj pranë EUROJUST. “Ishte një kënaqësi të zhvilloja një takim online me Presidentin e EUROJUST Ladislav Hamran, Lukas Stary dhe Prokuroren Ndërlidhëse Fatjona Memçaj, e cila do të përfaqësoj Shqipërinë pranë EUROJUST. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe i garantova si Hamran dhe znj. Memçaj, mbështetjen e plotë në vijim nga Ministria e Drejtësisë për një bashkëpunim sa më të mirë dhe efektiv”,- shprehet Gjonaj.
“Hamran falenderoi në veçanti Ministrinë e Drejtësisë, KLP-në, Prokurorinë e Përgjithshme si dhe institucionet e reja të drejtësisë, për bashkëpunimin e deritanishëm. Pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe emërimit të Prokurorit Ndërlidhës, Hamran theksoi se tashmë është hapur një kapitull i ri për bashkëpunimin ndërgjyqësor me Shqipërinë dhe garantoi mbështetjen e plotë nga ana e EUROJUST të këtij procesi”,- njoftoi Ministria e Drejtësisë.
“Memçaj gjithashtu falenderoi Ministrinë e Drejtësisë për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe shprehu angazhimin e saj maksimal përkundrejt detyrës së re”,- përfundon njoftimi.
Eurojust është Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin me Drejtësinë Penale, duke koordinuar hetimet e krimit të rëndë ndërkufitar në Evropë dhe më gjerë. Si qendër e BE-së për bashkëpunimin gjyqësor, Eurojust siguron mbështetje praktike për autoritetet kombëtare duke promovuar shkëmbimin e informacionit, duke zhvilluar strategji prokuroriale, duke lehtësuar përdorimin e mjeteve të bashkëpunimit gjyqësor dhe duke zbatuar veprime të përbashkëta. Së bashku me Shtetet Anëtare dhe një rrjet të gjerë të partnerëve ndërkombëtarë, Eurojust po e bën Evropën një vend më të sigurt për të gjithë qytetarët e saj.
Fraksion.com