Ekspertët: Biden po vendos ton të ri në politikën për Rusinë
Ekspertë të politikës së jashtme e shohin si shenjë të mirë telefonatën e Presidentit amerikan Joe Biden me Presidentin rus Vladimir Putin. Ata thonë se zoti Biden nuk i anashkaloi çështjet e debatueshme ndërsa u përpoq për gjetjen e pikave të përbashkëta, duke u pajtuar për zgjatjen e marrëveshjes historike për armët bërthamore. Në materialin në vazhdim, korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine sjell mendimin e analistëve se çfarë nënkupton përmabjtja e telefonatës mes dy presidentëve për të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Rusi.
Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Joe Biden e ngriti çështjen gjatë telefonatës me Presidentin rus Vladimir Putin, dhe se Uashingtoni do të vazhdojë ta trajtojë çështjen në të gjitha nivelet.
“Ai nuk u kufizua në përcjelljen e shqetësimit të tij në lidhje me trajtimin e Alexei Navalny-t dhe protestuesve…”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki në lidhje me telefonatën e Presidentit Biden me homologun rus Putin.
Duke folur për opozitarin rus Navalny, kryediplomati amerikan Antony Blinken u tha gazetarëve se është e habitshme se sa e shqetësuar duket Moska për një njeri.
“Jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me sigurinë e zotit Navalny. Gjëja më e rëndësishme është se zëri i tij është zëri i shumë rusëve dhe duhet të dëgjohet e jo t’u mbyllet goja.”
Pavarësisht kritikës amerikane mbi trajtimin e Navalny-t, Putini e ka vlerësuar zgjatjen 5-vjeçare të traktitit për armët bërthamore, një veprim i shpejtë, vetëm disa ditë para se të skadonte traktati i fundit SHBA-Rusi.
Disa analistë të politikës së jashtme thonë se ndihen të inkurajuar nga qasja reale e Presidentit Biden ndaj Putinit. Thomas Pickering ka qënë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Rusi.
“Politika e Presidentit Biden është e qartë, t’i thotë gjërat ashtu siç janë. Të thotë të vërtetën edhe kur e vërteta dhemb, por gjithashtu edhe të zgjedhë gjërat që e çojnë procesin përpara, ku interesat kombëtare të dy vendeve përputhen.”
Ekspertë të tjerë thonë se është thelbësore që Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të ngrenë zërin për opozitarin Navalny dhe abuzime të tjera të drejave të njeriut në Rusi, por nuk duhet patur pritshmëri të larta. Thomas Remington është profesor i shkencave politike.
“Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të heqin dorë nga ëndërra që përpjekjet tona disi do të kenë ndonjë efekt të dobishëm tek ndryshimet politike në Rusi.”
Pas ngurrimit nga ish-Presidenti Trump për të kritikuar publikisht Putinin, madje edhe pse administrata e tij mori masa të ashpra ndaj Rusisë, ekspertët thonë se Presidenti Biden po vendos një ton të ri për katër vitet e ardhshme./VOA
Fraksion.com