Terrori i djathtë i ndikuar në kontekst shoqëror
Nga Hans Pfeifer
Vrasësi ekstremist i djathtë i presidentit të rajonit të Kaselit Walter Lübcke u dënua me burgim të përjetshëm. Ky është dënimi kapital. Megjithatë nga ky proces mund të dalë një sinjal fatal
Kjo ditë vjeshte 2017 është edhe triumfi i kundërshtarëve të politikës gjermane ndaj refugjatëve. Sepse partia e djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) me kursin e vet kundër refugjatëve ka arritur suksese të dukshme elektorale. Partia e dehur nga suksesi i saj: Në mbrëmje kandidati kryesor i saj Alexander Gauland del nën brohoritjet e përkrahësve të vet përpara kamerave dhe shpall moton e politikës së ardhshme të AfD-së: “Ne do t’i përzëmë ata, ne do ta përzëmë zonjën Merkel apo këdo qoftë – dhe ne do t’ia kthejmë vendin tonë popullit tonë.”
Urrejtja si motiv
Dy vjet më vonë Walter Lübcke nuk jeton më. Ai qëllohet në pragun e shtëpisë së tij. Dorasi, Stephan Ernst, është një ekstremist i djathtë. Motivi i tij: Urrejtja ndaj politikës gjermane për refugjatët. Urrejtja ndaj një njeriu, që e mishëronte këtë politikë: Walter Lübcke.
Alexander Gauland nuk e njihte dorasin. Nuk ka asnjë lidhje. Madje as ndonjë lidhje që mund të konsiderohej juridikisht si pjesë e një procesi gjyqësor brenda një konteksti politik. AfD me trumbetimin e saj të urrejtjes për vite me radhë i ka dhënë tonin atmosferës në Gjermani. Ajo i ka yshtur njerëzit. Kundër refugjatëve. Kundër migrantëve. Kundër kundërshtarëve politikë. Partia mohon çdo përgjegjësi për krimet ekstremiste të djathta prej urrejtjes. E kundërvihet duke argumentuar, se këto janë përpjekje për t’i mbyllur gojën asaj ndaj kritikave në adresë të qeverisë. Ajo sillet si Pontius Pilatusi biblik duke dashur të lajë duart me pafajësi.
Dorasi Stephan Ernst për krimin e tij ka marrë dënimin më të lartë të mundshëm në Gjermani: burgim i përjetshëm. Përveç kësaj Gjykata e Lartë Rajonale në Frankfurt mbi Main ka konstatuar peshën e rëndë të fajit, gjë që e përjashton mundësinë e një lirimi të parakoshëm. Ky dënim është i drejtë. Eshtë edhe një sinjal i rëndësishëm ndaj skenës së ekstremizmit të djathtë.
Mjedisi i rrezikshëm rreth dorasit nënvleftësohet
Përse nga procesi dhe vendimi megjithatë mund të dalë një mesazh fatal? Sepse i akuzuari i dytë, Markus H. largohet nga gjykata si njeri i lirë. Shoku i atentatorit u çlirua prej akuzës për bashkëveprim për vrasje. Ai dënohet me kusht për armëmbajtje pa leje.
Përtej çështjes, se sa i përshtatshëm është ky dënim kaq i butë për personin e dytë – prokuroria kërkoi dhjetë vjet burg – ai ka efekt politik. Sepse skena e ekstremizmit të djathtë e gatshme për dhunë sërish përjeton një dënim të butë në mjedisin e dorasit. E kaluara ka treguar, se si janë pritur të tilla dënime: ato festohen.
E rreziku është, që vrasësit e motivuar politikisht ndonëse janë të rrallë, ata pothuajse asnjëherë nuk veprojnë të izoluar nga shoqëria. Këtë e tregon edhe kjo vrasje. Edhe Stephan Ernst është radikalizuar prej fjalimeve, klimës së krijuar dhe demonstratave. Edhe nga AfD-ja. E përpara se të arrihet tek krimi, ka edhe një kontakt me njerëz të tjerë, me të cilët ai shkëmben mendime për urrejtjen e tij – qoftë në botën reale apo në atë virtuale. Kjo përzierje bën, që atentatorë politik si Stephan Ernst ta konsiderojnë veten si pjesë të një misioni: Ata e kryejnë krimin për një vizion politik.
Inkurajim për skenën e djathtë të Gjermanisë
Mesazhi në fund të këtij procesi për skenën e ekstremit të djathtë është: Sa kohë nuk merr pjesë drejtpërdrejt në krim dhe sa kohë nuk ngarkohesh vet prej gjyqit, nuk ke përse të kesh frikë nga pasoja serioze për urrejtjen tënde. Rëndësisë së jashtëzakonshme që ka mjedisi përreth atentatorëve rëndom nuk i kushtohet vëmendja e duhur në proceset penale në Gjermani. E kësisoj shumë procese penale dështojnë në qëllimin thelbësor të tyre: Zbardhjen e së vërtetës. Sepse e vërteta është, që krimet politike nuk njohin doras të vetmuar. Ato karakterizohen prej klimës në shoqëri./DW
Fraksion.com