Tabaku: Shqipëria fiton me taksën e sheshtë duke punësuar 110 mijë shqiptarë
Ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku reagoi pas deklaratës së ministrit të Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj, duke pohuar se “Shqipëria fiton me taksën e sheshtë duke punësuar 110 mijë shqiptarë”.
Tabaku shprehet se “Shqipëria fiton me taksën e sheshtë sepse investimet e huaja direkte do të rriten, Shqipëria sot nuk ka më investime të huaja. Por ajo do të fitojë nga rritja e tyre përmes taksës së sheshtë 9%”.
“Shqipëria fiton me taksën e sheshtë pasi shqiptarët do taksohen në mënyrë të ndershme dhe barabartë. Bizneset nuk do të mbitaksohen ndërsa një pakicë favorizohet. Shqipëria fiton kur të gjithë taksohemi në mënyrë të barabartë. Shqipëria fiton kur shtresa e mesme, që sot diskriminohet do të mund të sigurojë me shumë të ardhura përmes taksës së sheshtë. Taksa e sheshtë do të rrisë formalitetin, do të eliminojë favorizimet dhe do të nxisë ekonominë”, shprehet ajo.
Ndërsa shefi i Kabinetit të kryetarit të PD, Dorian Teliti, pjesë e grupit të ekspertëve që kanë punuar për programin e PD, shpjegoi efektet e taksës së sheshtë 9%.
Në një komunikim me një qytetare, Teliti tha se “ne do të anulojmë menjëherë taksën progresive mbi pagat 13-23% dhe do të vendosim taksën e sheshtë prej vetëm 9%. Jona sa e ke rrogën sot. 80,000 lekë të reja. Sot ti paguan 6,500 lekë të reja në muaj tatim mbi pagën. Me taksën e sheshtë do të paguash vetëm 4,500 lekë të reja në muaj. Më shumë para në xhepin tënd, 2,000 lekë të reja në muaj”.
Teliti i tha qytetares se “nëse ke makinë, karburanti do të kushtojë 24 lekë për litër më lirë. Gjithashtu edhe energjia elektrike do të ulet”.
Fraksion.com