AktualitetTë fundit

Studimi izraelit; Alimehmeti: Vaksina Pfizer 51% efektivitet kundër COVID-19

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka publikuar sot një studim nga Izraeli, shtet i cili ka numrin më të lartë të popullsisë së vaksinuar, ku thuhet se vaksina BNT162b2 (PfizerBionTech) ka efektivitet 51 % kundër infeksionit nga SARS-CoV-2 nga 13 deri në 24 ditë pas dozës së parë.

Alimehmeti ka theksuar se është e detyrueshme marrja e dozës së dytë, për ta rritur më tej mbrojtjen.

“Super rezultate nga fushata e vaksinimit antiCOVID-19 në Izrael”, shpreht Alimehmeti.

Sipas tij, të dhënat e terrenit janë publikuar pasi janë punuar nga Universiteti i Tel Avivit, Izrael. Në total u studiuan: 503.875 individë (moshë mesatare 59.7 vjeç); 351.897 u ndoqën 13-24 ditë pas vaksinimit (një dozë).

“Incidenca kumulative e SARS-CoV-2 ishte: 0.57 % (2.484 individë) gjatë ditëve 1-12, dhe 0.27 % (614 individë) gjatë ditëve 13-24 pas vaksinimit. Reduktimi relativ i riskut në total ishte 51.4 %. Ulja e qartë e incidencës bëhej evidente pas ditës së 18-të nga doza e parë. Reduktimi relativ i riskut më në detaj ishte: 44.5 % te moshat mbi 60 vjeç, 50.2 % te individët më të rinj, 50.0 % te femrat, dhe 52.1 % te meshkujt”, ka shtuar Alimehmeti.

“Autorët dalin në përfundimin se: Vaksina BNT162b2 (PfizerBionTech) ka efektivitet 51 % kundër infeksionit nga SARS-CoV-2 13-24 ditë pas dozës së parë të vaksinës. (Nivel shumë i afërt me deklarimin e vetë Pfizer, pra 52.0 %) Për të rritur më tej mbrojtjen, doza e dytë është e detyrueshme”, ka nënvizuar Alimehmeti.

“Superlajm! Vaksina funksionon në popullatë! Nuk duhet humbur kohë!”, ka përfunduar ai.

 

Fraksion.com