AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Serbët e Kosovës, për vaksinë në Serbi

Luba Maksimoviq nga komuna e Graçanicës afër Prishtinës është një nga rreth 300 njerëzit nga Kosova që u vaksinuan kundër koronavirusit në 29 janar në Qendrën Shëndetësore në Kurshumli në Serbi, 80 km nga Graçanica.

“Kam marrë vaksinën kineze, kjo është ajo që po kërkoja. Iu besoj këtyre vaksinave, nuk kam besim tek amerikanët dhe të tjerët, por kam besim te rusët dhe kinezët”, i tha Maksimoviq Radios Evropa e Lirë .

Për disa javë tani, institucionet shëndetësore në komunitetet me shumicë serbe në Kosovë, të cilat kanë funksionuar në sistemin serb, kanë organizuar transportin në grupe të qytetarëve serbë për vaksinim në qytete në Serbi.

Qytetarët që jetojnë në katër komuna në veri të Kosovës janë vaksinuar në Rashkë, ata nga Anamorava në Bujanoc, kurse të tjerët në Kurshumli.

Maksimoviq shpjegon se infermierët e Qendrës Shëndetësore nga Graçanica përgatisin lista me njerëz që janë të interesuar të vaksinohen kundër koronavirusit, kurse përparësi kanë ata që janë mbi moshën 60 vjeç dhe të sëmurët kronikë.

“Ata më regjistruan të dhënat dhe më thirrën të premten e kaluar. Më thanë të bëhem gati këtë të premte në 9:20, kur nisen autobusët nga Graçanica”, thotë ai.

Pas ekzaminimit mjekësor në Kurshumli, edhe Zorica Mirkoviq nga Graçanica mori vaksinën.

“Ndihem mirë, na kanë quajtur me emër, është shumë e mbushur me njerëz. Më është dashur të bëj vaksinën për shkak të fëmijëve, ne jemi të moshuar, për të ditur që jemi të sigurt. Faleminderit (Presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit që na mundësoi këtë,” thotë Zorica Mirkoviq.

Para vaksinimit, të gjithë duhej të plotësonin një formular pëlqimi për imunizimin e rekomanduar.

Qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb po vaksinohen në Serbi pasi Prokuroria Themelore në Mitrovicë filloi një hetim mbi importin e vaksinave të koronavirusit nga Serbia në katër komuna në veri të Kosovës në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Qeveria e Kosovës tha në atë kohë se nuk kishte asnjë informacion që vaksinat kishin hyrë nëpër rrugë zyrtare.

Si pjesë e këtij hetimi, disa mjekë që punojnë brenda sistemit shëndetësor serb në Kosovë janë marrë në pyetje.

“Duhet të përmend që më vjen keq që nuk mund të merrnim vaksina në vendet tona, mendoj se ky është një tregues i qëndrimit të popullatës shumicë”, tha ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë në detyrë të Kosovës, Dalibor Jevtiq, pasi që u vaksinua në Kurshumli.

Ai deklaroi se do të vazhdojë të mbështesë procesin e imunizimit të qytetarëve nga Kosova në Serbi.

Kryetari i Komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq, gjithashtu e mori vaksinën.

“Është e rëndësishme që sa më shumë njerëz të vaksinohen. Kjo është provë se shteti ynë (Serbia), i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, kujdeset për njerëzit tanë në Kosovë,” tha Popoviq.

Kosova ende nuk ka filluar vaksinimin kundër koronavirusit. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës, Faik Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit duhet të mbërrijnë në shkurt.

“Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për vaksinimin e qytetarëve vetëm në territorin e saj”, tha ai.

“Ministria dhe Instituti i Shëndetësisë Publike kanë zhvilluar një plan të detajuar të vaksinimit për popullatën, të cilin ata e kanë ndarë me COVAX”, tha Hoti.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të janarit se kishte siguruar 535 mijë doza të vaksinave kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer.

Gjithashtu, Kosova duhet të marrë 600,000 doza vaksinash nga Austria, dhe është pjesë e programit COVAX, i cili do të sigurojë vaksina për 20 për qind të popullsisë./REL

 

Fraksion.com