AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Programi ynë, rritje të paktën me 5 % të pensioneve çdo vit

Kryetari i PD, Lulzim Basha ishte në familjen e çiftit Lili e Lulzim Sula në Tiranë, ku gjatë një bisede të lirë u shpjegoi atyre dhe pensionistëve shqiptarë efektet që do të sjellë programi ekonomik i PD-së.

Basha u ndal në veçanti tek programi për rritjen e pensioneve dhe theksoi se “programi ynë parashikon rritje të paktën me 5 % të pensioneve çdo vit”.

“Nevoja më e madhe është për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve, sepse ekonomia ka qenë e shkatërruar. Askush nuk e ndjen këtë më shumë në xhepa dhe në tavolinë sesa ju vet pensionistët. Unë i kam të dy prindërit pensionistë. Nënën e kam arsimtare me pension njësoj si ju. Rritja e pensioneve me programin tonë, është jo më pak se 5 %. Dyfishimi, domethënë rritja sa dyfishi i inflacionit, por jo më pak se 5 % në çdo rast. Tani ju vetë i bëni llogaritë, sa merrni dhe çfarë do të thotë kjo për pensionin tuaj mujor. Me këtë lloj rritje ne shpresojmë që brenda një kohe jo të gjatë, pensionet shqiptare në tërësi mesatarja e tyre të kapë dhe të dalë mbi mesataren e pensioneve të rajonit. Pra, një sërë masash të cilat kanë për synim në radhë të parë të stabilizojnë, të normalizojnë dhe të rimëkëmbin ekonominë. Por duhet filluar me atë pjesë të popullsisë e cila është më e goditura, që jeni ju. Se përllogaritet që janë afro 650 mijë pensionistë. Pensionet shumica prej tyre i kanë në nivelin e mbijetesës”, tha ai.

Po ashtu, Basha shtoi se “duhet t’i japim njerëzve shpresë që me 25 prill gjërat do të ndryshojnë, jo thjesht qeveria, por do të ndryshojmë gjërat për të gjithë, jo thjesht të fitojë një parti apo një koalicion, por të fitojnë të gjithë shqiptarët”.

“Me këtë plan fitojnë gjithë shqiptarët. Ata që s’kanë bërë asgjë e keni parë sa e shpalosëm planin filluan ta sulmojnë. Pse e sulmojnë se kishin tetë vite s’bënë asgjë madje pensionet nuk i rritën as sa norma e inflacionit, se ju thashë i kam të dy prindërit pensionistë, as sa norma e inflacionit nuk i ka rritur pensionet, nuk menduan për ju”, tha Basha.

 

Fraksion.com