“Nga bebja në bebe”; Kryemadhi: Programi ynë jo depozitë bankare, por investim në bursë
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me gratë e Elbasanit.
Kryemadhi tha se, “një ndër prioritetet tona është fuqizimi ekonomik i gruas, që për ne ka një rëndësi shumë të madhe, sepse një grua e fortë ekonomikisht përveç e bën më të pavarur, përveç se e bën edhe të barabartë në shoqëri, i jep edhe forcë themelit të familjes, sepse për ne grua e tillë është, themeli i një familjeje dhe si e tillë është e domosdoshme në përgatitjen e brezave të rinj”.
“Ne kemi disa pika shumë të rëndësishme për fuqizimin ekomomik të gruas, jo vetëm në aspektin e biznesit, por edhe në vendimmarrje, në përfshirjen e tyre në politikë”, tha Kryemadhi.
“Ne duam t’i japim forcë gruas, jo thjesht për fasadë apo për ta përdorur si numër, por për ti dhënë forcë vërtet asaj dhe në fakt LSI e ka treguar këtë gjë, duke pasur parasysh se edhe mua si grua, më kanë votuar si kryetare partie, ma kanë dhënë shansin që unë të vazhdoj dhe të mbështes të gjitha gratë dhe vajzat e tjera për tu dhënë atyre më shumë mundësi”, tha Kryemadhi.
“Në Shqipëria mungesa e hapësirave për të krijuar politika të reja ka qenë e theksuar, pasi gjithmonë partitë politike janë përpjekur të kenë programe politike demagogjike, thjesht në kuadrin e votimeve, por asnjëherë nuk janë ulur të ofrojë diçka që është e drejtpërdrejtë dhe përfituese për njerëzit”, u shpreh ajo.
“Programi ynë ‘Nga bebja në bebe’, ajo që themi ne ngurtësimi i fondit për bebet, që do të kenë mundësi që ata vetë ta tërheqin pas 25 viteve, ose pas 30 viteve kur ata të bëhen me fëmijë, nuk është depozitë bankare”, theksoi Kryemadhi.
“Mentaliteti në Shqipëri është që ne kemi taksidarët që të vijnë me kamxhik dhe të marrin taksat, dhe interesa bankare që njerëzit marrin kredi. Ndërkohë që bota po shkon drejt një tjetër zhvillimit dhe nuk ke se si të kuptosh se çdo të thonë fondet e zhvillimit, ose trust-fund, investimet në bursë, sepse Shqipëria nuk ekziston as në bursë. Dhe tashmë do të ekzistojë në bursë ‘Nga bebja në bebe’ që është për të ardhmen e fëmijëve shqiptarë, në mënyrë të tillë që fëmijët tanë të mos ikin nga Shqipëria”, u shpreh Kryemadhi.
“Sepse prioriteti ynë është të ndalojmë shpopullimin e vendit, sepse një nga arsyet pse të rinjtë ikin nga vendi është se ata nuk kanë më asnjë garanci për veten e tyre apo për familjen e tyre”, tha ajo.
Fraksion.com