Goditen shpresat e demokratëve; Republikanët në Senat mbështesin Trumpin;
Shpresat e Demokratëve amerikanë se ish Presidenti Donald Trump do të dënohet kanë pësuar një goditje të konsiderueshme. Në një votim të martën, vetëm pesë republikanë votuan me 50 demokratët.
Kjo e bën të duket gjithnjë e më jorealiste arritjen e shumicës prej dy të tretave të kërkuara, të nevojshme për të dënuar Trumpin. Nëse 50 senatorë demokratë votojnë unanimisht për fajësimin e Trumpit, me ta duhet të bashkohen të paktën 17 republikanë.
Në padinë e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratët e akuzojnë Trumpin për “nxitje të kryengritjes” për shkak të sulmit të mbështetësve të tij ndaj Kapitolit. Demokratët e ngritën aktakuzën në Senat të hënën në mbrëmje. Të martën, senatorët u betuan si anëtarë jurie për procesin gjyqësor. Para ushtruesit të përkohshëm të detyrës së Presidentit të Senatit, Patrick Leahy bënë betimin 100 parlamentarë për të “ushtruar drejtësi në mënyrë të paanshme sipas kushtetutës dhe ligjit”. Leahy kryeson Gjykatën e Lartë në vend të Kryetarit të Gjykatës së Lartw, i cili do të ishte përgjegjës për një president në detyrë.
Kërkesë nga Rand Paul
Menjëherë pas kësaj, senatori republikan Rand Paul paraqiti një kërkesë për ta deklaruar antikushtetues procesin. Paul argumentoi se Senati mund të zhvillonte një proces vetëm për një president në detyrë. Trumpi është një “person privat” pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë të mërkurën javën e kaluar.
Demokratët dhe shumica e juristëve kushtetues nuk pajtohen me këtë pikëpamje. Lideri i shumicës Demokratike në Senat, Chuck Schumer, e quajti argumentin e Palit “thjesht të gabuar”. Përndryshe, një president mund të shmangë fajësimin dhe procesin për pezullimin nga detyra duke kryer krime kundër vendit vetëm pak para përfundimit të mandatit të tij ose duke dhënë dorëheqjen para një gjykimi në Senat.
Trump ka ende mbështetje
Trump ende ka shumë mbështetje në bazën e partisë dhe ushtron ndikim të madh në parti edhe pasi i ka humbur zgjedhjet. Shumë republikanë kanë frikë nga zemërimi i ish-presidentit dhe për këtë arsye preferojnë të të mos flasin kundër tij – edhe nëse sulmi kundër Kapitolit nga mbështetësit radikalë të Trumpit më 6 janar dhe sjellja e Trumpit shkaktoi indinjatë tek shumë prej tyre.
Procesi aktual kundër Trumpit nuk do të fillojë deri në 9 Shkurt. Deri atëherë, prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe avokatët e Trumpit do të paraqesin argumentet e tyre me shkrim. Nëse presidenti, i cili humbi zgjedhjet më 3 nëntor, do të dënohej në kundërshtim me atë që pritet, Senati mund ta përjashtonte atë nga zyrat e ardhshme politike. Kjo do të thotë që 74-vjeçari nuk mund të kandidonte për president në vitin 2024./DW
Fraksion.com