AktualitetTë fundit

Bashkia e Shkodrës kërkon shpalljen e fatkeqësisë natyrore

Reshjet e shiut të rëna gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme të mëdha në shumë zona të Shkodrës.

Madje, në disa fshatra rrezikohet edhe jeta e banoëve. Të paktën ky është konkluzioni i Bashkisë së Shkodrës, që mëngjesin e sotëm ka kërkuar nga qeveria që të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në zonën Ana Malit, Dajçit dhe Shkodrës.

“Sot situata është përkeqësuar duke rrezikuar seriozisht shtëpitë dhe jetën e banorëve në Shirq të Dajçit, rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të shkarkimeve dhe prurjeve në zonën e NënShkodrës. Argjinatura mbrojtëse është çarë dhe uji vërshon me shpejtësi duke përmbytur shumë shpejt banesat, gjënë e gjallë, shkollën “Pjetër Gaci”, Qendrën Komunitare, Qendrën Shëndetësore. Kërkesa për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në Anën e Malit, Dajç dhe në Shkodër duhet të shqyrtohet menjëherë. Mosmarrja e përgjegjësisë ligjore për trajtimin e emergjencës është e patolerueshne në rastin e rrezikut. Ky është detyrim përkundrejt njerëzve dhe pasurisë së tyre private e publike”, thuhet në deklaratën e Bashkisë së Shkodrës.

Reshjet intensive të shiut të rëna përgjatë dy javëve të fundit kanë përmbytur mijëra hektarë tokë në zonën e Shkodrës. Emergjencat Civile dhe forcat e ushtrisë kanë ndërhyrë duke u shkuar në ndihmë banorëve për t’i furnizuar me ushqime.

 

Fraksion.com