Përgjimet e Ndraghetës; Rama: Investimet që do të bënin në Shqipëri dështuan totalisht
Kryeministri Edi Rama citoi sot konkluzionet e Prokurorisë italiane lidhur me çështjen e përgjimeve për hetimin e kryer në vendin fqinj, mbi bisedat e disa mafiozëve të Ndrangheta-s që flisnin për investime në Shqipëri.
Kryeministri iu përgjigj pyetjes së gazetares mbi këtë çështje në konferencën e përjavshme për mediet me fokus ekonominë.
“Në fakt do të të zhgënjej, sepse nuk do them ‘për këtë do flasë drejtësia’, pasi në këtë rast ka folur qartësisht duke dhënë konkluzion grupi hetimor italian. Po ju lexoj konkluzionin për t’u thënë pse është turp i pashembullt për të gjithë ju që keni detyrën të informoni publikun dhe ndërkohë thjesht ushqeni tymnajën me llafe, muhabete, dëngla njerëzish të cilët, sipas prokurorisë italiane, jo sipas meje, në konkluzion, në praktikë, citoj prokurorinë italiane: ‘Pas më shumë se 1 viti udhëtimesh në Tiranë dhe bisedimesh me njëri-tjetrin për investime që do të bëhen në Shqipëri ato dështuan totalisht. Dhe i vetmi investim i bërë është një dyqan i vogël për shitjen e rrobave të punës për të cilin ka pasur konflikte mes ortakëve. Në vitin 2018, investimi në Shqipëri, sipas bilanceve të publikuara në QKB, ka shitur mallra për 5 milionë lekë të reja dhe ka humbur në fund të atij viti 400 mijë lekë të reja. ndërsa në vitin 2019, siguroi 4 milionë lekë të ardhura dhe 1.8 milionë lekë humbje”, tha Rama.
Rama tha se “kjo është citim nga konkluzionet e prokurorisë italiane dhe marrja e këtij llumi dhe servirja e këtij llumi si ushqim për shqiptarët, netëve të gjata të mejhaneve televizive dhe ditëve të gjata kërkesës për klikime dhe për spektakël është turp”.
“Është një turp që i mishëron më së miri ata të cilët e ushqejnë këtë lloj qasjeje, që janë të njëjtët dhe që prirjen për t’ia bërë nënën këtij vendi e kanë prioritet, sa herë që u jepet mundësia edhe kur nuk ka asnjë mundësi në fakt, sepse kjo është një marrëzi e pashoqe me asgjë tjetër. Flasin ca italianë, përmendin njerëz, imagjinojnë investime, parafytyrojnë pushtimin e tokës së premtuar. Nuk ka asnjë fakt, nuk ka asnjë lidhje, nuk ka asnjë provë, nuk ka asgjë dhe këtu ngrihet një tym, mirë e the, një tymnajë që është e neveritshme dhe unë realisht nuk kam asgjë për të thënë për këtë por meqë më pyetët, e lexova konkluzionin e prokurorisë italiane”, tha Rama.
“Merrini të gjitha ato mijëra faqe, pijani lëngun dhe nxirrini prapë e villni nëpër ekrane e nëpër portale për t’i bërë shqiptarët që t’u vijë për të vjellë, se ky është dhe qëllimi në fakt për fat të keq. Kjo për mua është një provë spektakolare e katandisë së opozitës dhe të medieve. Nuk e imagjinoj dot, në një vend normal, në një vend ku çdo njeri që ka një mikrofon dhe ka një fytyrë në shërbim të publikut të marrë kohë nga koha e njerëzve për t’u hedhur në fytyrë këtë lloj gjelle kutërbuese, budallëku dhe poshtërsie, unë kështu e shoh këtë punë”, vijoi ai.
“Ndërkohë që çfarë pret të të them unë? Të them që as nuk e di se kush janë këta njerëz, as nuk kam takuar ndonjëherë njerëz të tillë? Është e kotë. Të të them që nuk funksionon kështu me mua, nuk funksionon kështu me ne? Prapë është e kotë. Çfarë të them? Është një turp që ta mbajnë ata që e kanë dhe ju nuk keni pse bëheni pjesë e këtij turpi, sipas meje. Është një mënyrë, më e ulët sa nuk ka, për të kërkuar avantazhe të natyrave të ndryshme në mexhlis, që janë politike, që janë influence, që janë ku di unë se çfarë, duke ia bërë nënë këtij vendi faktikisht, përsëri, si gjithmonë në fakt kur në vend se të bëhet informacion bëhet dizinformacion. Në vend se të bëhet debat mbi faktet, bëhet luftë se kush e shtrembëron më shumë të vërtetën. Çfarë të të them? Nuk kam çfarë të të them”, tha Rama.
“Edhe njëherë, konkluzioni i prokurorisë italiane, jo i imi, por i prokurorisë italiane që ka bërë hetimin mbi këto përgjime që ju i keni marrë dhe i hidhni në publik çdo ditë duke i shitur si kapje në flagrancë të lidhjeve mes mafias dhe autoriteteve në Tiranë, Prokuroria italiane shkruan në konkluzion: ‘Në praktikë, pas më shumë se një viti udhëtimesh në Tiranë dhe bisedimesh me njëri-tjetrin, – nuk ka asnjë bisedë mes tyre dhe personave që ata përflasin gjithë ditën dhe gjithë natën, – për investime që do bëhen në Shqipëri, ato dështuan totalisht dhe i vetmi investim i bërë është një dyqan i vogël për shitjen e rrobave të punës për të cilin prapë ka pasur konflikte mes ortakëve, – janë konkluzione të prokurorisë italiane këto. Në vitin 2018 investimi i Ndrangheta-s në Shqipëri ‘Galo Albania” sipas bilanceve të publikuara në QKB ka shitur mallra për 5 milionë lekë të reja dhe humbi në fund të atij viti rreth 400 mijë lekë të reja, ndërsa në vitin 2019 siguroi 4 milionë lekë të ardhura dhe 1.8 milionë lekë humbje”.
“Ky është konkluzioni”, tha Rama, ndërsa shtoi: “ku i shikoni këtu ju pallatet e gradaçelat, e gjithë ato marrëzira prej ca mitomanësh delirantë që e kanë menduar Shqipërinë siç e përshkruani ju, siç e përshkruan opozita, vendin e mafias, drogës, vendin ku o burra të nisemi se bëhet pastrim parash. Ku i keni këto? Ja këto janë konkluzionet që i kanë bërë ata”.
Rama tha se “është e paprecedent që ambasadori i Republikës italiane të detyrohet të shprehet”. “E dini pse është shprehur? Se janë të mahnitur, janë të skandalizuar nga fakti që një hetim që rezulton nga prokuroria italiane, që nuk ka asnjë lidhje, fare-fare me ndonjë kanal lidhjesh e pastrimesh në Shqipëri, të kthehet në një kauzë komune në portale, në media, e në kanale dhe ta bëjë Shqipërinë copë-copë në shqip nga duart e shqiptarëve. Si e parafytyroni ju se nëse do të kishte diçka këtu do të kishte mbetur pa dalë atje, apo do të kishte mbetur pa ardhur këtu në çfarëdo forme?”, tha Rama.
Ndërsa shtoi më tej se “u bë kjo histori një histori e tmerrshme raportesh komplet mëkatare me të vërtetën”.
“Merr letra nga dosje përgjimi në Itali e hidhi këtu e bëj çorap dynjanë këtu me llafe. Kush ja bën këtë vendit të vetë? Nuk ka rëndësi fare kjo që të jemi të qartë, që në një mënyrë a tjetër lidhet me X apo Y. Nuk më shqetëson mua kjo fare fare, jam mësuar me balë dhe e kam të qartë se sa të jem në këtë detyrë me baltën do të kem të bëjë. Se e ka thënë Faik Beu këtë kur unë nuk kisha lindur akoma, ju jo e jo: Nëse ka një gjë që nuk ta falin në këtë vend është suksesi. Por kush ja bën vendit të vetë këtë?”, tha Rama.
Fraksion.com