“Punësim me paga të larta”; Programi i LSI, Kryemadhi: Kemi rënë dakord me PD-në për…
LSI prezantoi sot prioritetet e programit politik për zgjedhjet e 25 prillit.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha se në thelb të këtij programi është punësimi i mirëpaguar, rimëkëmbja ekonomike dhe arsimimi i brezit të ri.
“Sot të gjitha familjet shqiptare po mundohen për të mbijetuar, po përpiqen për të gjetur punë apo për të ulur koston e lartë të jetesës. Ne tashmë e dimë që shumica shqiptarëve janë më keq se 4 vite më parë, paguajnë më shumë taksa se 4 vite më parë, çmimet janë shumë më të larta se 4 vite më parë”, tha ajo.
Pra, shtoi Kryemadhi, “shqiptarët përballen sot me një qeverisje jo vetëm që ka dëmtuar shtetin dhe ekonominë e tyre deri në palcë. Arroganca dhe paligjshmëria kanë dëmtuar rëndë institucionet vendimmarrëse dhe të pavarura, edhe duke injoruar dhe shkelur Kushtetutën dhe shkatërruar institucionet e pavarura, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e shtetit”.
“Në këto 4 vite shqiptarët jetojnë më keq se ç’kanë jetuar 4 vite më parë pjesa dërmuese e rinisë shqiptare po humbet shpresën nëse nuk e ka humbur tashmë. Prandaj sot me shumë se kurrë lind nevoja e ndryshimit, i cili vjen me votë por edhe me ndërgjegjësim dhe duke sjellë besim tek njerëzit”, theksoi ajo.
“Njerëzit kanë nevojë për besimin që ngjall shpresën dhe kjo shpresë e dërmuar nga keqqeverisja mund të kthehet vetëm duke folur me njerëzit me një program dhe plan të qartë dhe real që ne si Lëvizje Socialiste për Integrim e kemi tashmë prezent për ta prezantuar dhe ofruar të gjithë qytetarëve”, tha Kryemadhi.
“Kemi një program i cili ka në thelb të tij punësimin, një punësim të mirëpaguar, rimëkëmbjen e ekonominë dhe arsimin e brezit të ri, ku rinia jonë duhet të jetë konkurruese jo vetëm në tregun e punës por edhe në fushën e teknologjisë dhe inovacionit me vendet fqinje dhe pse jo rajonin tonë dhe pse jo edhe më gjerë në të gjithë botën”, u shpreh ajo.
Kryemadhi u shpreh se ka dakordërsi me partnerët opozitarë për taksën e sheshtë 9 për qind.
“LSI është e angazhuar për përjashtimin nga çdo taksë për familjet me të ardhura nën 35 mijë lek në muaj”, tha ajo.
“Punësimi dhe ekonomia janë prioritet për ne dhe të panegociueshme. Me punësimin e shqiptareve është abuzuar dhe gënjyer shume, besoj të gjithë e mbajnë mend premtimin e pa mbajtur të 300 mije vendeve të punës. Punësimi për ne është jetik për të kthyer besimin tek rinia që ata të ndihen në Shqipëri si në shtëpinë e tyre”, tha Kryemadhi.
“Çlirimi i ekonomisë nga monopolet, ulja e taksave te larta që po i marrin frymën ekonomisë dhe familjeve shqiptare, krijimin e zonave të lira ekonomike ku do të mbështesim drejt për së drejti krijimin e çdo vendi pune për të rinjtë dhe profesionistët do ta kthejnë Shqipërinë shtëpinë e investimeve. Kemi rënë dakord për taksën e sheshtë 9%, por ne si LSI angazhohemi për përjashtimin nga çdo taksë për çdo familje ose person me të ardhura nën 35 mijë lekë të reja në muaj”, theksoi ajo.
Kryemadhi u shpreh se, “do të realizojmë një reformë tërësore në arsim. Do të mbështesim këtë sektor me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”.
“Shpesh e kemi parë formalizimin e ekonomisë si një betejë titanësh për një kupon tatimor ku zbarkon repart policor për të kapur kuponin e një buke 500 lekëshe. Ne formalizimin nuk e shikojmë thjesht si një betejë, si një luftë, ne e shikojmë si një bashkëpunim midis shtetit, biznesit dhe konsumatorit prandaj ne propozojmë që brenda 5 muajsh të miratojmë rimbursimin e 5% të çdo blerjeje me përjashtim të shpenzimeve që kryhen në entet publike”, tha Kryemadhi.
“Do të krijojmë mundësinë për të formalizuar konsumin dhe familjet të krijojmë një pagë shtesë në fund të çdo viti. Ky formalizim do të rrisë jo vetëm të ardhurat e familjeve shqiptare por edhe të ardhurat me buxhetin e shtetit që do të futen në qarkullimin ekonomik dhe mundësi për te nxitur punësimin e te rinjve”, theksoi ajo.
“Kjo nisëm kërkon vetëm vullnet politik sepse infrastruktura dhe dëshira e qytetarëve dhe bizneseve ekziston, sepse sot më shumë se kurrë konsumatori dhe qytetari e kërkon shtetin partner në ekonomi, në jetën e tij shoqërore dhe sociale dhe nuk kërkon një xhelat mbi kokë”, u shpreh Kryemadhi.
“Taksat e ulëta dhe formalizimi do të sjellin më shumë investime të huaja dhe vendase dhe me shumë punësim për familjet shqiptare”, tha ajo.
“Me programin Garancia Rinore do të mbështesim sipërmarrjen e lirë të profesionistëve të rinj në Fushën e teknologjisë dhe inovacionit, prandaj dua të ndalem tek të rinjtë tanë, të cilët përballen me sfida të mëdha si papunësia, kosto e jetesës shpopullimi dhe integrimi në BE”, shtoi ajo.
“Një sistem arsimor cilësor që prodhon profesionist dhe jo kartonë diplomash, është zgjidhja për të garantuar për punën e mirëpaguar, për të krijuar besimin se ardhmja për rinjtë është këtu, që të qëndrojnë këtu, ta konsiderojnë Shqipërinë shtëpinë e tyre dhe për të përgatitur qytetarë për të ardhmen si qytetarë evropianë. Prandaj, ne do të realizojmë një reformë tërësore në arsim, duke paguar në mënyrë dinjitoze mësuesit tanë që janë ata që edukojnë brezin e ri dhe duke e lidhur shkollën, me biznesin, dhe me tregun e punës. Ne do të mbështesim realisht arsimin me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha Kryemadhi.
Fraksion.com