“Po Shqipëria?”; Ngjela: A do ta rrëzojë presidenti Biden Putinin?
Në Rusi filluan revoltat e mëdha anti-Putin.
Shenjat janë se do të zmadhohen, sepse e tillë ka ardhur koha.
Gjithçka lidhet me rrëzimin e Donald Trump-it në Uashington, sepse psikologjia e intelektit të lartë rus e dinte që ish presidenti amerikan Donald Trump, kish ardhur në pushtet nga shërbimi inteligjent rus.
Po presidenti Joe Biden, a do të influencojë për rrëzimin e carit të fundit rus Vladimir Putin? Analitika demokratike perëndimore mendon se Biden do të ndihmojë në këtë çështje. Dhe, me një gjykim normal politik, sigurisht që është e pranueshme se, me influencën e Joe Biden-it, Perëndimi do të ndërmarrë hapat e veta për të rrëzuar Vladimirin e Dytë tiran të Rusisë, që i takon të jetë cari i fundit i saj.
Shenjat po janë të mira.
Gjithçka po shkon drejt demokracisë dhe mendimit integral për drejtësi shoqërore.
Po Shqipëria ku ndodhet?
Shqipëria, në fakt, aktualisht është e pushtuar nga korrupsioni antihistorik kombëtar i pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve.
Por tani, në këtë kohë demokratike që vjen si forcë dhe si doktrinë e re nga Uashingtoni politik, këta uzurpues dhe përvetësues të vlerave materiale shqiptare, dhe që janë njëherësh edhe shitës të degraduar të interesit kombëtar, nuk kanë më asnjë shpresë.
Por, a do të dorëzohen?
Nuk mendoj për një akt dorëzimi të tyre, por për fillimin e procesit ligjor antikorrupsion, i cili do të drejtohet me shumë forcë nga politika e re amerikane për rivlerësimin demokratik të Ballkanit Perëndimor./Nga Facebook i autorit