Rusia shpreh gatishmëri për dialog me SHBA
Një zëdhënës i Kremlinit tha se Rusia është e gatshme të nisë një dialog me administratën e re të Presidentit Biden, ku palët të shprehin ndryshimet në qëndrimet e tyre.
Sipas zëdhënësit, Presidenti Vladimir Putin do t’i përgjigjej në të njëjtën mënyrë gatishmërisë së Uashingtonit për të biseduar.
Marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit janë në nivelin më të ulët që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë. Palët kanë mosmarrëveshje për rolin e Rusisë në Ukrainë, ndërkohë që Uashingtoni e ka akuzuar Moskën për ndërhyrje në zgjedhje, akuza që ajo i mohon.
Të shtunën, Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje autoriteteve ruse të lirojnë protestuesit dhe gazetarët e ndaluar gjatë demonstratave në mbështetje të kritikut të arrestuar të Kremlinit Alexei Navalny dhe dënuan atë që e quajtën “taktikë të ashpër” të përdorur kundër tyre.
Policia arrestoi më shumë se 3,000 njerëz dhe përdori forcën për të prishur tubimet në të gjithë Rusinë ndërsa dhjetëra mijëra qytetarë përballuan të ftohtit e madh për t’u bashkuar me protestat në mbështetje të Navalny-t.
Kremlini i minimizoi përmasat e demonstratave të së shtunës.
Para protestave, ambasada amerikane në Moskë kishte lëshuar një “paralajmërim për demonstrata”, në të cilin u bënte thirrje shtetasve të SHBA të shmangnin protestat, duke cituar me emër vendet në qytetet ruse ku planifikonin të mblidheshin demonstruesit.
“Sigurisht, publikime të tilla janë të papërshtatshme,” tha të dielën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për Televizionin Rossiya 1, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.
“Dhe sigurisht, indirekt, ato janë absolutisht ndërhyrje në punët e brendshme. Pra, kjo është një mbështetje e drejtpërdrejtë ndaj shkeljes së ligjit të Federatës Ruse,” tha ai.
Ambasada amerikane, në komentet e saj me email, tha se paralajmërime të tilla janë një “praktikë e zakonshme dhe rutinë” e misioneve diplomatike të shumë vendeve.
“Ambasadat dhe konsullatat amerikane në të gjithë botën publikojnë rregullisht mesazhe sigurie për qytetarët tanë,” tha ajo.
Presidenti Putin ishte një nga udhëheqësit e fundit botërorë që uroi Joe Biden-in për fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Një nga çështjet për t’u zgjidhur nga dy fuqitë bërthamore është traktati për kontrollin e armëve, i njohur si Traktati i Ri Start, i cili skadon më 5 shkurt.
Shtëpia e Bardhë tha javën e kaluar se Presidenti Biden do të përpiqet për një zgjatje pesë-vjeçare të marrëveshjes, ndërsa Kremlini ka kërkuar propozime konkrete nga Uashingtoni.
Fraksion.com