AktualitetBota+Të funditTeknologji

Gjykatësja: Amazonit nuk i kërkohet të riaktivizojë aplikacionin Parler

Amazoni nuk do të detyrohet për t’i rikthyer operimin në internet platformës së medias sociale Parler, pasi një gjykatëse dha vendim të enjten kundër kërkesës së aplikacionit Parler që pëlqehet nga shumë përkrahës të ish-presidentit Trump.

Gjykatësja Barbara Rothstein në Siatëll tha se nuk e ka hedhur poshtë pretendimin e aplikacionit kundër Amazonit por shtoi se padia nuk kishte demonstruar nevojën për një vendim të menjëhershëm për rikthimin e aplikacionit në operim.

Amazoni e hoqi më 11 janar Parlerin nga shërbimi i tij që ofron qasje për operim në internet. Në dokumentacionin gjyqësor, Amazon thotë se ishte mënyra e vetme që kishte për të penguar postimet që diskutonin plane për të penguar tranzicionin e pushtetit në SHBA.

Amazoni tha se Parler kishte treguar “mungesë vullneti dhe paaftësi” për të bllokuar një numër postimesh të rrezikshme që bënin thirrje për përdhunime, tortura si dhe atentate kundër politikanëve, drejtuesve të kompanive teknologjike dhe të tjerëve.

Aplikacioni i medias sociale, i cili ka tërhequr shumë pasues me bindje të ekstremit të djathtë, ngriti padi duke kërkuar që të rikthehet në operim në internet, duke argumentuar se Amazoni kishte shkelur kontratën dhe po abuzonte me fuqinë që kishte në treg. Sipas Parler, ky aplikacion parashikonte që presidenti do të hapte së shpejti llogari në këtë platformë, pasi një numër përkrahësish të tij filluan të përdorin këtë aplikacion kur Twitteri dhe Facebooku bllokuan llogarinë e ish-presidentit Trump pas sulmit në Kapitol.

Gjykatësja Rothstein tha se hidhte poshtë “çdo aludim se interesi publik e kërkon që Amazonit t’i imponohet të lejojë platforma që përhapin komente ndezëse të bëra nga përdoruesit e Parler-it”. Gjykatësja fajësoi drejtuesit e këtij aplikacioni se kishin ofruar vetëm spekulime të dobëta dhe të pasakta për komplot mes Amazonit dhe Twitterit për ta nxjerrë jashtë loje platformën Parler.

Motive Politike?

Shefi ekzekutiv i Parler-it, John Matze pohoi në dokumentet gjyqësore se mbyllja e operacioneve të Parler papritur ishte së paku pjesërisht e motivuar nga synimi “për t’i mohuar zotit Trump një platformë në një shërbim dixhital me përdorim të gjerë”. Zoti Matze tha se ish-presidenti kishte peshuar mundësinë e hapjes së një llogarie në Parler që në tetor, duke përdorur pseudonim. Administrata Trump javën e kaluar nuk pranoi të komentonte nëse kishte pasur plane të tilla.

Amazon hodhi poshtë komentet se vendimi i tij kishte synime politike. Sipas Amazonit, Parler kishte shkelur marrëveshjen e biznesit “duke lejuar në platformën e tij komente që nxisin dhunë dhe duke mos i hequr këto komente”.

Amazon thotë se kur Parler kërkoi të zhvillonte operacionet e saj përmes shërbimeve të Amazonit për prezencë në internet, ky aplikacion kishte pranuar kushtet e Amazonit kundër përhapjes së komenteve të rrezikshme.

Parler thotë se ka përdorur “kontrollorë vullnetarë” për të sinjalizuar praninë e komenteve të rrezikshme. Amazoni javën e kaluar solli shembuj të shumtë të postimeve të rrezikshme me thirrje për dhunë që thotë se ia kishte sjellë në vëmendje drejtuesve të Parlerit.

Zhvendosja tek Epik

Google dhe Apple ishin gjigandët e parë teknologjikë që morën masa kundër aplikacionit Parler në ditët pas protestës së dhunshme në Kapitol. Të dyja kompanitë pezulluan përkohësisht aplikacionin për telefonat inteligjentë në platformat e tyre të aplikacioneve. Por njerëzit që kishin shkarkuar tashmë aplikacionin Parler ishin ende në gjendje ta përdornin atë derisa Amazon përfundimisht e hoqi nga serverat e saj.

Parler e ka mbajtur faqen e saj në internet duke ruajtur regjistrat e saj në internet përmes kompanisë amerikane Epik, në pronësi të sipërmarrësit libertarian Rob Monster. Epik ka lejuar në platformat e saj edhe faqen 8chan, një bord mesazhesh në internet i njohur për lejimin e gjuhës së urrejtjes. Parler aktualisht i ka të dhënat në serverat e kompanisë DDoS-Guard, pronarët e së cilës, sipas të dhënave publike, gjenden në Rusi.

DDoS-Guard nuk iu përgjigj emaileve për komente mbi biznesin e saj me faqen e internetit Parler ose mbi raportet e botuara që në mesin e klientëve të saj janë edhe disa agjenci të qeverisë ruse.

Parler nuk iu përgjigj kërkesave për komente këtë javë rreth planeve të saj të ardhshme. Megjithëse faqja e saj në internet është rikthyer, ajo nuk e ka rikthyer aplikacionin ose rrjetin e saj social. Matze ka thënë se do të jetë e vështirë për të rivendosur shërbimin sepse faqja kishte qenë aq e varur nga strukturat e kompanisë Amazon dhe veprimi i kompanisë Amazon ka çaktivizuar shitësit e tjerë të mundshëm.

Ky rast ka ofruar një dritare të rrallë për ndikimin e kompanisë Amazon në funksionimin e internetit. Parler argumentoi në procesin e saj gjyqësor se Amazon shkeli ligjet kundër monopolit duke bashkëpunuar me kompaninë Twitter, e cila gjithashtu përdor disa shërbime të kompanisë Amazon, për të shtypur Parler, aplikacion relativisht i ri në median sociale.

Zonja Rothstein, e cila u emërua në gjykatën me bazë në Siatëll nga Presidenti demokrat Jimmy Carter, tha se Parler paraqiti prova “shumë të pakëta” të shkeljes së rregullave kundër monopolit dhe asnjë provë që vërteton se Amazon dhe Twitter “vepruan së bashku me qëllim, ose nëse vërtetë e bënë këtë, në përpjekje për të kufizuar tregtinë (tregun e lirë)”./VOA

 

Fraksion.com