AktualitetTë fundit

Çifti rom rriti djalin që ia lanë në derën e shtëpisë; Nëna biologjike rrëfen historinë e dhimbshme për “Shqipëria live”

Esmeralda Kamena është nëna biologjike e 10 vjeçarit që është rritur nga Elvira dhe Elezi.

Esmeralda kontaktoi “Shqipëria live” pasi pa djalin e saj nëpërmjet emisionit. Ajo rrëfen vështirësitë që ka kaluar në jetë dhe pse u detyrua të braktisë  djalin.

Vetë ajo është braktisur nga e ëma 6 muajshe.

“Unë jam rritur te halla ime sepse mami dhe babi janë ndarë. Më ka lënë mami te halla 6 muajshe Kam vuajtur shume sepse më kanë rrahur, më kanë torturuar. Kush kishte mundësi i pari më rrihte.

Te halla kam jetuar deri në moshën 11 vjeçe, pastaj kam ikur për Greqi se nuk i duroja dot më të rrahurat. Babi nuk ka ushtruar asnjëherë dhunë.

Kam ikur me një grup nga Lezha dhe Elbasani. Policia greke na ka ndjekur por kam shpëtuar. Rrija te një familje greke dhje punoja. Kam ndenjur 2 vite e ca. Pastaj erdha në shtëpi, rrija nëpër rrugë, në shkallët e pallatit, krejt e vetme. Kam qenë gjithë kohën rrugëve. Punoja kamariere, shumë vende në Laprakë, Zogu i Zi, stacioni i trenit, kam punuar në Durrës nëpër tallava si kamariere ose balerinë, çfarë të gjeja”.

Ajo tregon momentin kur mësoi se priste fëmijë, pas një përdhunimi një Greqi. “Mora vesh që jam shtatzënë, para se të vij në Shqipëri. Ai djali që jetoja më nxori jashtë sepse tha nuk dua të femra që kanë fëmijë me burra të tjerë. Kam  punuar në Patra, në një diskotekë, aty më kanë përdhunuar 5 vetë”.

Esmeralda shpjegon pse u detyrua ta braktisë djalin e saj. “Kam lindur djalin në Shkodër sepse atje po kërkoja një shtëpi për të jetuar. Sepse kisha gjetur një lokal të punoja. Ika te halla, dy ditë e mbajtën. Pastaj ika nga shtëpia e hallës. Shkova të punoj më tha halla hajde te shinat e trenit të flasim, kisha djalin në duar, më tha nuk të mbaj dot më sepse burri i gocës nuk do kurva me fëmijë.

Pyeta një shok më tha a mund të gjej njeri. Më mori me vete më çoi te Elvira. Ajo ishte shumë e dashur, shumë e respektueshme. I bëri të gjitha si të ishte nëna e djalit.

Unë nuk e njihja. Më çoi kushëriri i saj te ajo. Më tha që kjo grua ka ëndërr të ketë një djalë sepse kishte vetëm dy vajza.

Nuk i thashë se kisha frikë se ajo s’do ma mbante çunin, çfarë do të bëja em të rrugëve, kisha frikë se do të vdiste nga ftohti. Në atë moment pasi ika, nuk doja asgjë tjetër, vetëm të vdisja, humba edhe djalin, nuk kisha asnjë, pse të jetoja”./TCH

 

Fraksion.com