AktualitetPolitikëTë fundit

“Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet”; Xhaçka: Optimistë që BE do t’i qëndrojë fjalës së saj

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka zhvilloi sot një video- konferencë me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së.

“Zhvillova një video- konferencë me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së. Mirënjohje ndaj Ambasadorit Soreca për punën e tij të mirë dhe për organizimin e mbledhjes, ku shkëmbyem pikëpamjet tona rreth këtij viti vendimtar për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Falënderova ambasadorët për gatishmërinë dhe vullnetin e tyre të mirë për një bashkëpunim të frytshëm”, tha Xhaçka.

Xhaçka shtoi se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në BE. Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet”.

“Mbetemi optimistë që BE do t’i qëndrojë fjalës së saj duke arritur në një kompromis për kornizën negociuese dhe duke caktuar një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare gjatë 2021”, theksoi Xhaçka.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca e ka cilësuar si një shkëmbim konstruktiv pikëpamjesh video-konferencën mes ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së.

Ai tha se, Shqipëria do të vazhdojë punën e saj për të ecur drejt konferencës së parë ndërqeveritare.

“Shkëmbim konstruktiv pikëpamjesh midis ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së dhe Ministres Olta Xhaçka mbi integrimin në BE, përgjigjen ndaj COVID dhe vaksinat, dhe linjëzimin e politikës së jashtme të përbashkët”, u shpreh Soreca.

“Shqipëria do të vazhdojë punën e saj për të ecur drejt konferencës së parë ndërqeveritare, BE do të vazhdojë të ofrojë mbështetje konkrete për qytetarët shqiptarë”, theksoi ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.

 

Fraksion.com