AktualitetBota+Të fundit

Reagimet e ekonomisë pas vendimit për shtrëngimin e lockdown

Vazhdim i lockdownit, por jo edhe mbyllje e prodhimit. Më shumë Homeoffice dhe më shumë ndihma financiare – janë vendimet e fundit. Po cilat janë reagimet e ekonomisë?

Shoqata Qendrore e Zejeve Gjermane (ZDH) mund të shikojë pak më pozitivisht vendimet e qeverive federale dhe të landeve: “Ky është një lajm i rëndësishëm për shumë biznese zejtarësh dhe punonjësit e tyre se nuk do të ketë një bllokim të plotë ekonomik për momentin”,  tha kryetari i ZDH, Peter Wollseifer të martën në mbrëmje.

“Për të përjashtuar një lockdown të këtillë edhe në të ardhmen, e me shpresë se zejtarët mund të rifillojnë punën, tani duhet të ruajmë shëndetin e punonjësve”, vazhdon Wollseifer. Si shumë të tjerë edhe ai ka kërkuar ndihmë të shpejtë dhe një procedurë më të thjeshtë të pagesave.

Humbjet e sektorit të tregtisë

Në krizën e Coronës, ndërmarrjet e shumë degëve po luftojnë për ekzistencë. Shoqata e Tregtisë Gjermane (HDE) në veçanti ka kritikuar faktin se ndihmat e premtuara ende nuk kanë mbërritur tek personat që kanë nevojë dhe po bën presion për përmirësimin e ndihmës së shtetit.

“Tregtia me pakicë po humb për shkak të lockdown mesatarisht 600 milion euro në ditë gjatë muajit janar”,  tha drejtori i HDE Stefan Genth. “Bizneset kanë humbur shumë në kohën e Krishtlindjeve, në nëntor dhe dhjetor, e tani shumë sipërmarrje nuk mund t’i kompensojnë këto humbje, pa fajin e tyre.” Njëkohësisht HDE ka përshëndetur vendimin e qeverisë federale për të ndihmuar këto biznese. Tani minisri i Financave Olaf Scholz (SPD) dhe minisri i Ekonomisë Peter Altmaier (CDU) duhet t’i realizojnë këto premtime, thotë Genth.

Premtimet për ndihma më të mira

Presidenti i Institutit për Ekonominë Botërore në Kiel (IfW), Gabriel Felbermayr, paralajmëron mundësinë e një vale të re falimentimesh, për shkak të mbylljeve të fundit. “Sa më gjatë të shkojë mbyllja, aq më shumë do të vuajnë kompanitë, aq më shumë shpenzohen rezervat e tyre, aq më të mëdha janë gjasat që të shohim një valë të madhe falimentimesh në fund të krizës”, tha ai për gazetën Bild Live. “Më e pakta që duhet të ndodhë tani është që dikush të përpiqet me pagesa të mëdha të ndihmojë ekzistencën e sipërmarrjeve të cilat kanë ardhur në këtë situatë, pa fajin e tyre.”

Pas kritikave masive qeveria federale ka vendosur të martën që ndihmat të shkojnë më shpejtë tek ata që i kanë kërkuar ato. “Ndihmat do të jenë më e thjeshta, më të mëdha dhe me orientim të qartë”, tha ministri i Financave Olaf Scholz (SPD). Scholz është dakord me ministrin e Ekonomisë Peter Altmaier (CDU), i cili deklaroi: “Ne do të thjeshtojmë në mënyrë drastike ndihmën për tejkalimin e gjendjes dhe do t’i shtojmë ndihmat”.

Kritikat ndaj Homeoffice

Vendimi që punëdhënësit në të ardhmen t’u mundësojnë punonjësve që të punojnë nga shtëpia kudo që është e mundur, u shoqërua me kritika nga përfaqësuesit e punëdhënësve.

Vendimet janë të “papranueshme”, tha drejtuesi i shoqatës së punëdhënësve Gesamtmetall, Oliver Zander. Ministri i Punës Hubertus Heil (SPD) ka bërë të ditur në nëntor se kjo nuk do të ndodhë. “Të thuash se kjo masë është një mjet për luftimin e pandemisë, kjo të krijon përshtypjen se ministri po e përdor këtë për qëllime të brendshme politike”, thotë Zander.

Më shumë siguri…

Në trafikun e qytetit dhe në dyqane parashikohet mbajtja e maskave të posaçme për më shumë siguri. Në të ardhmen atje duhet të mbahen maska ​​kirurgjikale ose maska me standardet KN95 / N95 ose FFP2. Për më tepër, nga kompanitë e transportit kërkohet të rrisin ofertën e tyre. Në këtë mënyrë, rregullat e distancës mund të respektohen më mirë, veçanërisht në periudhat e pikut të lëvizjes.

“Nëse rruga deri në punë identifikohet si një rrezik i veçantë, atëherë sektori publik duhet të rrisë numrin e automjeteve për transport publik, në vend se të kërkojë që të përdoren maska FFP2 dhe të largojnë vëmendjen nga dështimet e tyre,” tha Zander.

Shoqata e Kompanive Gjermane të Transportit kumtoi se “është e vetëkuptueshme” që do të mbështesë këtë vendim. Kryetari i VDV Ingo Wortmann tha, se kërkesa për shtrëngimin e masave për maska është e “panevojshme”.

Drejtori i “Allianz pro Schiene”, Dirk Flege, theksoi se duhet të shikohet mirë vendimi për mbajtjen e maskave. Por në thelb ai e cilësoi si pozitiv këtë vendim. “Më shumë autobusë dhe trena – si dhe kërkesa për maska, kjo rrit sigurinë për të gjithë përdoruesit e transportit publik”, tha Flege.

Ndërsa përfaqësuesit e institucioneve financiare si Andreas Scheuerle janë të kënaqur me vendimet, sepse ata kanë pasur frikë se masat do të jenë edhe më të ashpra. “Nga pikëpamja ekonomike, mbyllja edhe më e madhe dhe mbyllja e mundshme e kufijve do të kishin qenë shumë më të dëmshme për ekonominë. Për momentin këto janë evituar.” Ngjashëm mendojnë edhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera financiare./dw

 

Fraksion.com