21 janari; Rama: Jemi besimplotë për të ardhmen, transformimi i sistemit të drejtësisë po funksionon
Kryeministri Rama tha se 4 të vrarët gjatë protestave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar 2011 janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”. 4 viktimat Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë shpallur Dëshmorë të Atdheut.
Kryeministri Rama gjatë konferencës së tij, ka shpjeguar se humbja e 4 jetëve kanë ndikuar historinë e Shqipërisë në dy drejtime, marrëdhënien e qeverisë në raport me protestën dhe transformimin e sistemit të drejtësisë.
Kryeministri Rama tha se pavarësisht se nuk është vendosur drejtësi për viktimat e 21 janarit, e ardhmja është besimplotë duke iu referuar vettingut në sistemin e drejtësisë.
Ai thotë se rruga e përmbushjes së këtij transformimi është ende duke u ndërtuar duke shpresuar se do të vendosë drejtësi për protestën e 21 janarit.
“Për të vënë në vend atë që në fund të fundit e materializon një proces drejtësie. Të drejtën e reflektuar tek ndëshkimet. Në fakt, ky nuk është një justifikim. Kjo është e vërteta. Ajo që e dallon këtë të vërtetë, me të njëjtën të vërtetë të thënë në kushte të tjera është se ne nuk kemi qëndruar duarkryq. Jemi ne që kemi përgjegjësinë dhe detyrimin për të siguruar të gjithë ngrehinën ligjore dhe rregullatorë të një sistemi drejtësie që të jetë në gjendje të bëj këtë që njerëzit kërkojnë për 21 janarin. Jemi ne që vijmë nga rruga e kësaj tragjedie që kemi vendosur jo thjesht në program, por në rrugën e zgjidhjes, problemin e madh të çlirimit të drejtësisë dhe krijimin e një drejtësie të denjë dhe funksional. Nëse e shohim 21 janarin me sytë e së djeshmes, ka 1001 fjalë që mund të thuhen për të argumentuar se nuk është bërë asgjë. Përderisa sot e gjithë ditën, 4 dëshmorët e 21 janarit, pas 10 vitesh nuk prehen të qetë ashtu sikundër të gjithë të afërmit e tyre sa herë që ajo plag dhemb, nuk ka se si të marrin frymë të lehtësuar nga fakti që është bërë drejtësi.
Por nëse e shohim 21 janarin me sytë e së nesërmes dhe nëse bëjmë një vlerësim objektiv mes situatës së sotme dhe asaj të djeshme të sistemit të drejtësisë, kemi të gjitha arsyet që të jemi besimplotë që transformimi po funksionon. Rruga e përmbushjes së këtij transforimi është ende për tu ndërtuar. Jemi mes së djeshmes, në ndërtim të rrugës. Siç janë sot kantieret e rindërtimit pas tërmetit që janë ende të pabanueshme por janë aty dhe tregojnë se më e keqja është lënë pas krahëve. Ku janë sot, ata të cilët duke përdorur çekiçin e gjykatësit të Shqipërisë e sakatuan përmes seancash gjyqësore absurde të drejtën e të gjithë familjarëve për të parë drejtësi. Një pjesë e gjyqtarëve nuk janë në sistemin e drejtësisë, një pjesë tjetër janë larguar duke dhënë dorëheqjen të vetëdijshëm që si pjesë e llumit nuk mund ta kalonin filtrin e sistemit ndërsa një pjesë tjetër janë ende në punë dhe nuk kanë kaluar në vetting”, tha Rama.
Fraksion.com