Transformimi historik i Vorës pas tërmetit, familjet e prekura do të rikthehen në apartamente të reja dhe lagje me standarde urbane
Transformimi historik i Vorës pas tërmetit që nxori jashtë përdorimit qindra banesa e dhjetëra pallate ka hyrë në fazën e kantiereve nga qendra urbane, në periferitë rurale.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit, Arben Ahmetaj dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali inspektoi sot punimet që po kryhen në pallatet e reja në Vorë.
“Familjet e prekura do të rikthehen jo vetëm në apartamente të reja, por edhe në lagje me standarde urbane krejt të ndryshme nga ato që ishin më parë”, – tha Rama.
Kryeministri Rama tha se “do ta bëjmë të bukur lagjen në Vorë. Kjo e kantiereve është si cikli i qeverisë. Para 7 viteve ne e gjetëm si ditën e nesërme të tërmetit nga pikëpamja e qeverisë, e financave, e rrëmujës në të gjithë llogaritë e shtetit, e borxheve, e gropave, pirgjeve me rrënoja në çdo sistem, shëndetësi, arsim, administratë”.
“Sot që jemi në fazën përmbyllëse të mandatit të dytë është tamam kështu janë hedhur themelet janë hapur akset kryesore, vazhdon pastrimi, rindërtimi dhe është zgjedhje midis vazhdoi e përfundoi apo të kapen ekskavatorët të kthehen në kioska dhe lugët të fillojnë të marrin mbrapsht Shqipërinë”.
Një banore u shpreh se e merr bonusin e qirasë, por ka merak se nuk do i bëhet shtëpia.
Kryeministri Rama u shpreh se “shtëpia do të bëhet e re. Kjo është puna jonë, ne do ta bëjmë deri në fund, nuk je në rrugë, nuk je vetëm, ne jemi këtu për ty dhe për të gjithë ata që janë si ty. Kur të përfundojë do të hysh në shtëpinë e re, nuk i bëjmë dot sa hap e mbyll sytë”.
Ministri Ahmetaj u shpreh se “janë pallate 2, 3 dhe 4 kate. Janë 3 lote, kombinim mes shtëpive private dhe pallateve”.
“Përpara disa javësh këtu ka ardhur opozita dhe u ka thënë që s’po bëhet asnjë punë. Larg cinizmit do ta ftoja ndonjë përfaqësues të opozitës që do t’i prekë nga afër gjërat, që shumë pak prej tyre e bëjnë, të vijnë në turet që ne bëjmë të shikojnë realitetin”, – tha Ahmetaj.
Kryeministri Rama shtoi se “ata nuk shikojnë asnjë garë, shikojnë ata që duan të shikojnë”.
Ministri Ahmetaj u shpreh se pas përfundimit të pastrimit të inerteve do të fillojmë menjëherë themelet.
Banorët u shprehën të kënaqur për punën që po bëhet nga qeveria dhe Kryeministri Rama për ndërtimin e shtëpive të reja të dëmtuara nga tërmeti.
Fraksion.com