Sot inaugurimi i presidentit të ri amerikan, Joe Biden
Presidenti i zgjedhur Joe Biden do të bëjë betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara në mesditën e së mërkurës, duke marrë drejtimin e vendit në një kohë përçarjesh të thella dhe krizash të vështira.
Joe Biden mori pjesë të mërkurën paradite në shërbesa fetare në Katedralen e Shën Mateos në Uashington, pak orë para ceremonisë së inaugurimit. Demokratët Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer, si dhe republikanët Mitch McConnell dhe Kevin McCarthy shoqëruan presidentin e zgjedhur në meshë.
Në kohën kur filloi shërbesa fetare, presidenti në largim, Donald Trump, ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë dhe po udhëtonte drejt Floridës. Donald Trump është udhëheqësi i parë amerikan në më shumë se 150 vjet që nuk merr pjesë në inaugurimin e pasardhësit të tij.
Para marrjes së detyrës, zoti Biden dha një mesazh uniteti, posaçërisht për nevojën e bashkimit për t’u përballur me sfidat e shkaktuara nga pandemia që u mori jetën 400 mijë vetave në Shtetet e Bashkuara dhe shkaktoi shumë vështirësi ekonomike.
“Duhet të kujtojmë. Ndonjëherë është e dhimbshme të kujtosh, por kështu rimëkëmbemi. Është e rëndësishme ta bëjmë një gjë të tillë si komb,” tha zoti Biden të martën vonë ndërsa bashkë më zonjën Harris udhëhoqi një ngjarje përkujtimore para Memorialit të Linkolnit për ata që kanë vdekur. Rreth 400 drita u ndezën rreth Pishinës Reflektuese.
Ai më vonë u zotua të “fillojë menjëherë nga puna” pasi të jetë betuar, duke thënë se “nuk kemi asnjë sekondë për të humbur kur bëhet fjalë për të trajtuar krizat me të cilat përballemi si komb”.
Nënpresidenti në largim, Mike Pence, pritet të marrë pjesë, ashtu si edhe ish presidenti Barack Obama më gruan e tij, Michelle, ish presidenti George Ë. Bush me gruan e tij Laura, dhe ish presidenti Bill Clinton dhe ish sekretarja e Shtetit Hillary Clinton.
Në ceremoninë e inaugurimit do të mungojë turmat e zakonshme prej qindra mijëra pjesëmarrësve që shtrihen nga Kapitoli e tutje përgjatë shëtitores kombëtare. Në vend të tyre, një det me 200 mijë flamuj të Shteteve të Bashkuara, përfaqësojnë ata që nuk mund të marrin pjesë.
Fraksion.com